
Kryetari i partisë SLS dhe njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviç, është përleshur sot me dy pjesëtarë të Listës Serbe.
Përleshja, siç raporton KTV, ka ndodhur në një restorant afër ndërtesë së Qeverisë së Kosovës. Lidhur me këtë rast, Policia ka ndaluar dy persona, për të cilët ekziston dyshimi se mund të jenë të përfshirë në rastin në fjalë.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicës serbe, Sllobodan Petroviç, në një konferencë për media, ka shpjeguar se sulmi ka ndodhur, ngaqë sipas tij ndaj tij dhe partisë që ai udhëheq, tash e sa kohë po zhvillohet nje fushatë e “orkestruar”. “Arsyeja është se unë tash e 15 vjet udhëheq me një parti që promovon paqen, tolerancën e bashkëjetesën. E dini që javën e kaluar i jam drejtuar me një letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, disa herë më ka përmendur mua dhe punën time, dhe ka pas insinuata të pavërteta për punën time. Pra, në letrën e hapur që ia kam dërguar, kam thënë se është sulm i hapur ndaj meje. E kemi përvojën e hidhur, vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviqit, për rrethana të njëjta. Më tepër e kam lutur presidentin, që para se të dalë me deklarata të tilla, t’i verifikojë mirë ato fakte. Sepse ai është thirrur në burimet që i ka, dhe me atë shkresë i kam argumentuar se nuk qëndrojnë”, ka thënë Petroviçi, raporton KTV.
Pas asaj letre, Vuçiçi nuk është dëgjuar, thotë Petroviçi, por thotë se ka pasur veprime nga Lista Serbe, “që janë udhëhequr nga drejtori i zyrës serbe për Kosovën, z. Marko Gjuriç, dhe të gjitha janë të pavërteta”.
Ndërkaq, Lista Serbe, përmes një komunikate dërguar mediave, ka fajësuar presidentin e Partisë së Pavarur Liberale serbe (SLS), Sllobodan Petroviç, për sulm ndaj anëtarit të Listës, Milan Kostiç.
Në njoftimin për media, Lista Serbe thekson se Kostiç, “pa kurrfarë provokimi, në një restorant në Prishtinë, është sulmuar nga Sllobodan Petroviçi i cili, me fjalë të papërshtatshme, Kostiçin e ka goditur në kokë me telefon celular dhe i ka shkaktuar lëndime”.
Nga ana e tij Petroviç, i ka mohuar këto akuza nga Lista Serbe.
Ndonëse ende nuk janë kryer hetimet për rastin e ndodhur ditën e sotme në një restorant në Prishtinë, mesa anëtarëve të partive të pakicave serbe, kryeministri Ramush Haradinaj i ka dalë në mbrojtje Petroviçit. Kreu i ekzekutivit, rastin e ka quajtur si “sulm ndaj deputetit Petroviç”, rast të cilin edhe e ka dënuar. Në emër të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Haradinaj, ka kërkuar nga organet e hetuesisë që të zbardhin rrethanat dhe sulmuesit të marrin dënimin e merituar.



