
Kryetari i Nismës Thurje, Endrit Shabani, deklaroi në emisionin “Arnautistan” në MCN se i dhemb shumë mënyra se si është transformuar Tirana.
Shabani tha se vendimmarrja sa i takon urbanistikës nuk është kolegjial. Ai theksoi se në Tiranë është ndërtuar në kurriz të të tjerëve dhe pa marrë në konsideratë komunitetin.
Është një moment i rëndësishëm, edhe për mua si qytetar i Tiranës dhe si kryetar i Nismës Thurje. Por për mua që jam rritur në Tiranë më dhemb shumë mënyra si është transformuar qyteti. Në këtë pikë bën diferencë. Kur isha i vogël më merrte babi dhe shkoja te lodrat te Rruga e Elbasanit. Kur shkoja në teatër. Kam shumë histori. Ky nuk është qyteti im. Mund të shkoj në Oksford sa herë të dua dhe është njësoj, ka 900 vjet që s’ndryshon. Mua më dhemb, se di a u dhemb të tjerëve që kanë kujtime.
Në vitet 90’ filloi koncepti i parcelizimit të hapësirave publike. Por tani janë bërë të pakthyeshme. Nëse do të kuptosh një vend sa demokratik është mjafton të shohësh urbanistikën. Urbanistika e Tiranës tregon që këtu vendimmarrja nuk merret në mënyrë kolegjiale. Në Tiranë nuk është ndërtuar për të gjithë. Është ndërtuar në kurriz të të tjerëve. Këtu është ndërtuar pa e marrë në konsideratë komunitetin. Ky është mentaliteti i injorimit të tjetrit”.



