Ish-ministri i Financave Arben Malaj duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv mbi skandalin e Bankers-it, tha që beson që ka korrupsion dhe duhet një ekspertizë e mirë e organeve tatimor.
Sipas tij institucioni i parë përgjegjës që duhet të ndjekë dhe miratojë çdo qindarkë është Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. Po ashtu ai vë në dukje se institucione të tjera përgjegjëse për skanimin e kompanisë janë Tatimet.
“Nëse kemi arritur në borxhe kaq të mëdha të fshehura, nuk është thjesht për paaftësi, por për korruptim”, shprehet ai. Ndër të tjera Malaj tha se duhet marrë një vendim strategjik dhe Shqipëria të ketë rafinerinë e saj të naftës.
“Çështja e Bankers është shumë kritike dhe duhet bëhet kujdes me deklaratat, sidomos të qeveritarëve, sepse ata kanë një ekspertizë të jashtëzakonshme për të kthyer në konflikt gjyqësor dhe gjobë, çdo deklaratë që cenon ata, sipas atyre. Kryeministri është më mirë të flas pak publikisht, por duhet të kishte vepruar gjatë 20 viteve shumë.
Marrëveshja e parë është bërë në 2004 me IFC, kur ne kemi qenë në pushtet dhe është bërë me ekspertizë. Nuk është ashtu siç u tha në media që Bankers s’paguan asgjë në qeverinë shqiptare.
Të ardhurat që marrim nga çdo marrëveshje që bën nxjerrjen dhe përpunimin e minerareve janë në dy grupe, e para është renta, dhe Bankers duhet ta bëjë publike sa ka përfituar ekonomia shqiptare, sa mijëra ton naftë. E dyta është tatim/fitim, që është i vështirë sepse të gjitha këto kompani në botë përdorin parajsat fiskale. Krijojnë fitimin jashtë Shqipëri, këtu transferojnë kostot dhe përpiqen të dalin afër humbjes.
Ajo që më shqetëson është fakti që kryeministri s’mund të thotë tani pas 20 vjetësh do t’i nxjerrim ujin e zi Bankersit, sepse çdo dështim s’duhet kthyer në fitore. Ne kemi dështuar në menaxhimin më mirë të burimeve natyrore. Strukturat përgjegjëse për ta parandaluar varen nga kryeministri, struktura e parë është Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore që duhet të ndjekë dhe miratojë çdo qindarkë. E dyta janë Tatimet, vendore apo kombëtare, që e skanojnë kompaninë e madhe çdo vit, dhe nëse kemi arritur në borxhe kaq të mëdha të fshehura, nuk është thjesht për paaftësi, por për korruptim. E treta kryeministri ka strukturën e tij anti-korrupsion. Si u tolerua?! Më vjen keq për ata që lidhin fitimin me TVSH-në. TVSH-ja, në momentin që në marrëveshje bazike përjashtohen nga TVSH-ja, por blejnë mall me TVSH, duhet t’ia kërkojnë pas shtetit.
Problemi është te pjesa e shpenzimeve. Besoj që këtu korrupsion, por duhet një ekspertizë shumë e mirë e organeve të tatimeve. Duhen analizuar të gjitha kostot teknologjike të Bankersit. Sepse kur miratohet një koncesion ka kartë teknologjike që e depoziton te AKBN dhe Tatimet. Që ka korrupsion për ne si ekspert patjetër që nuk mund të bëhet pa korruptuar struktura. Shumëfishimi dhe falsifikimi i shpenzimeve, janë detyra të punonjësve përkatëse sipas kontratës që shteti ka me Bankers. Dera e parë që bën kontrollin është AKBN. Por përgjegjësia pastaj shkon te Tatimet, pasi çdo gabim të punonjësve duhet ta kapin grupet e kontrollit të organeve tatimore. Prokuroria e Fierit është një pikënisje shumë e mirë, duhen vlerësuar, ata s’duhet të bien pre e populizmit dhe të bëjnë një punë profesionale, se do ballafaqohen në gjykatat ndërkombëtare.
Ajo që mbetet shqetësuese është që tregu duket i kontrolluar, s’po them monopol, por oligopol. Ndoshta Bankers po i vjen fundi i kontratës dhe s’e kam të qartë nëse kanë klauzolë, por edhe nëse s’e kanë do tentojnë të futen në lojë, ajo që mendohet që është, ka kohë që po flitet edhe BE por edhe vendet e veçanta duhet të reduktojnë influencën ekonomike me importet, eksportet, burimet ekonomike, nga vendet jo miqësore. Kryesisht cilëson Rusia dhe Kina. Vendi duhet të ketë një rafineri. Për shkak të një ndërlidhje organike me ekonominë e Kosovës, na duhet një rafineri që të synojë edhe vendet përreth. Duhet një vendim strategjik, Shqipëria të ketë rafinerinë e saj të naftës”.



