Pafytyrësia ka fytyrën e Lulzim Bashës!

Pafytyrësia ka fytyrën e Lulzim Bashës!

Nga Denis Dyrnjaja

Politika shqiptare ka njohur plot prototipë të tillë, por ndër më të spikaturit është Lulzim Basha. Këtij individi iu dha pushtet me okë, poste të larta qeveritare dhe u imponua nga Sali Berisha si pasardhësi i tij i denjë politik. Për afro një dekadë ai shpërdoroi mundësinë të bëhej lider real jo vetëm i opozitës, por edhe një protagonist bazik i politikës dhe një mundësi e alternativë reale për të sjellë PD në pushtet. Basha u investua dhe përdori të gjitha mënyrat për të krijuar rreth vetes establishmentin e interesaxhinjve, hipokritëve e servilëve, për të fshehur pafuqinë e tij e cila buronte si pasojë paaftësisë së tij politike. Vetëm e vetëm të mbante postin "e dhuruar" të kreut të PD, Lulzim Basha pranoi të bashkdrejtonte partinë, duke noterizuar çdo akt dhe vendim të rëndësishëm të tij, tek ati i tij politik Sali Berisha. Unë nuk e "vras" babain dhe në shtëpinë e demokratëve nuk ka vend për "vrasje politike".

Ky ishte qëndrimi publik i përsëritur i Bashës, ndërsa merrte mbështetjen e Berishës pas çdo humbjeje në zgjedhje, që në fakt prodhonte vetëm zhgënjim, bjerrje e tkurrje në elektoratin demokrat, i cili po trajtohej në mënyrë të shpërfillur duke imponuar idenë e fitores pas çdo humbjeje. I kujtoni mbylljet e protestave të famshme, ku në oborrin e selisë së PD këndohej himni i flamurit e shpallej rrëzimi i Ramës në mbrëmje, por ky i fundit vazhdonte qetësisht axhendën e tij si kryeministër të nesërmen, përfshirë edhe talljet plot cinizëm e ironi që iu bënte sy më sy në Parlament Bashës, Berishës&co. Ky ritual vazhdoi derisa një ditë kryetarit qeshtar të opozitës amerikanët i kërkuan të bënte zgjedhjen vendimtare; të ndahej nga Berisha. I duhej të merrte një vendim që ishte shumë i rëndë për t'u mbajtur nga këllqet e tij të dembelosura e të pasprovuara për të tilla akte, me të cilat s'do kishte dashur kurrë të përballej. Por prezenca e Berishës si "Shpata e Demokleut" mbi kryet e Bashës edhe e kishte bezdisur dhe lodhur liderin kukull, ndaj pse jo kishte ardhur momenti të bënte lëvizjen e duhur për të shpëtuar nga dualizmi dhe tutorizmi i Berishës.

Nevoja për pushtet dhe interesi e përfitimet që kishte si kryetar i PD dhe opozitës ishin më të forta se mirënjohja për Berishën që i dha gjithçka. I dha partinë dhe e lejoi ta rrënonte atë në sytë e tij. Berisha ishte në rregull, pasi mjaftohej me gatitu-n e Bashës e mendonte se kishte gjithçka nën kontroll, edhe pse partia po shkonte keq e më keq dhe nga humbja në humbje. Figurat indentitare po zëvendësoheshin nga vegjetues pa vlera ose individë që morën mandat si klientë të Bashës. PD po bëhej gjithnjë e më e rëndomtë, më e varfër mendërisht dhe përfaqësueshmërisht. Basha vijonte të qeshe ndërsa thuhej se i kishte lidhur telat me Ramën, Berisha vazhdonte të kundronte qetë sa nuk ishin prekur interesat e tij, derisa sa një ditë të nxehtë shtatori në vitin 2021 ngërdheshja hipokrite e Bashës do të duhej të ndalej. SHBA e vuri para sprovës: o me ne, o me Berishën non grata. Sigurisht që pas shumë kapërdimash, brenda një mosmirënjohësi si Lulzim Basha nuk do të dominonte karakteri i fortë dhe dinjiteti, por lakmia për pushtet e përfitime. Ai vendosi të përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar, kur në fakt për hir të gjithçkaje që Berisha i kishte besuar e dhuruar duhej të dorëhiqej vetë. Nëse do të merrte këtë vendim ai do të humbte përkohësisht karrigen e kryetarit të PD, por do fitonte nderin e respektin e të gjithë demokratëve, por edhe të kundërshtarëve politikë, madje edhe të vetë amerikanëve që e vunë në sprovë. Por një prerje politike e paskrupullt si ai, nuk mund të "zhgënjente" për mirë a për nder. I gjendur në udhëkryqin e vendimmarrjes Basha bëri atë që dinte të bënte më mirë, thikën pas shpine, që nënkuptonte vendimin që mendoi se do t'i jepte bonusin e madh politik, duke asgjësuar Berishën për llogari të amerikanëve. Ai nisi të besojë se gjeti çelësin se si të hiqte qafe protektorin e se si të kishte kontrollin absolut të partisë dhe opozitës.

Me vendosmëri dhe bindjen se po shpëtonte si rreshtor politik i Berishës dhe me shpresën se tani bashkë me lirinë partiake do të fitonte nesër edhe karrigen kryeministrore Basha, mori vendimin që do të shënonte edhe fillimin e fundit të tij politik. Të gjithë e dinë pastaj se si rrodhën ngjarjet. PD u fut në një spirale përçarjeje, që vijon edhe sot dhe rrezikon ta shpërbëjë përfundimisht atë si forcë politike. Berisha kuptoi se biri politik tek i cili kishte investuar gjithçka, për të arritur qëllimin nuk do të kursente as atë vetë. Këtë kalkulim Berisha ndoshta e kishte menduar, por nuk e kishte besuar se do t'i ndodhte, ta priste në besë pikërisht ai për të cilin kishte sakrifikuar më shumë se gjysmën e partisë, të larguar e përzënë për t'i krijuar Bashës komoditetin që të drejtonte PD. Ndërsa pas përjashtimit të Berishës, Lulzim Basha konfirmoi atë që e dinte brenda vetes, por nuk mund ta pranonte publikisht, se pa Berishën ai ishte askush, ishte një krijesë politike, pa kripë, pa formë dhe pa përmbajtje. Ndërsa demokratët që mezi kishin pranuar me radhë idenë e imponuar të Berishës, se Basha është lideri i duhur, tani duhej të ç'mësoheshin dhe zhbënin këtë ide fikse. Dhe kështu PD sot rreket të mbetet në duart e Berishës së izoluar ndërkombëtarisht, por më bazën e partisë më vete dhe një grupi të papërfaqësuar askund në elektorat në krye të të cilit po synon të rikthehet Lulzim Basha. Dhe po Lulzim Basha është i marrë peng, por jo nga Edi Rama, por nga mendësia e tij makiaveliste. Rama nuk ka bërë gjë tjetër përveç se ka shfrytëzuar pikërisht këtë pjesë të karakterit të tij dhe mardhenies okulte Basha-Berisha. Kush nuk pranon këtë realitet, nuk ka kuptuar asgjë nga ajo që po ndodh në partinë më të madhe të opozitës e cila sot është kapur në morsë nga babai që prodhoi maikiavelistin dhe makiavelisti që tani kërkon të eliminojë me çdo kusht krijuesin e tij, edhe pse kishte premtuar se kjo s'do te ndodhte kurrë. Nga një makiavelist pritet gjithçka. Në këtë rast rikthimi i Lulzim Bashës nuk është as lajm i mirë, as lajm i keq, sepse në fakt nuk është fare lajm. Ai është thjeshtë një kapitull më shumë në faqet e makiavelistëve shqiptarë që edhe pse e dinë çfarë përfaqësojnë, prapë se prapë kanë kurajën e pafytyrësisë. Dhe pafytyrësia sot ka emër dhe fytyrë, ka atë të Lulzim Bashës!

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy