Gazetarja Klodiana Lala komentoi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV vendimin e Prokurorisë së Posaçme për të pandehurit e dosjes së inceneratorit të Tiranës.
Ajo theksoi se emërtimi i Lefter Kokës si "peshku i madh" është një minus për prokurorinë dhe gjykatën, pasi, sipas saj, dihej se ai nuk mund të firmoste pa dakordësinë e ish-ministrave dhe deri te kryeministri.

Lefter Koka është dënuar, është e vërtetë, për Elbasanin dhe është duke u rigjykuar për Fierin, ka një dënim për Tiranën, por ai nuk kishte asnjë mundësi reale që të firmoste tre koncesione me vlerë miliona euro, nëse nuk kishte pasur dakordësinë e ish-ministrave dhe kryeministrit
Kjo është diçka që dihej, dhe megjithatë, emërtimi i Lefter Kokës si ‘peshku i madh’ është një gabim, që i shkon si minus si prokurorisë dhe gjykatës.
Ka një mungesë të hetimeve të plota për këtë aferë dhe se nuk ka asnjë përgjigje për atë se kush është përgjegjës për kreun e aferës së inceneratorëve.
Është dosje e pahetuar. Duhej hetuar si grup i strukturuar dhe të zbardhej. Kemi dhjetë procese. Mërtirin dhe Zoton në kërkim, kemi një sërë personazhesh në kërkim, zyratarë të ministrive duke u gjykuar me procese të zakonshme, dhjetëra fraksione.
Duhej hetuar si një dosje e vetme për të zbardhur gjithë situatën. Nuk mund të hetohej vetëm një pjesë e kësaj afere, pasi nuk është zbardhur ende se kush ka marrë përgjegjësinë për gjithë këtë skemë dhe përfundimin e këtij projekti që ka ndodhur.



