Presidenti amerikan Donald Trump u zotua se do t'i jap fund programit të lotarisë së vizave, dhe ardhjes në SHBA përmes një lidhjeje familjare me një shtetas amerikan.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, këto deklarata i bëri pas sulmit të ndodhur në një stacion autobusi në Manhatan dhe theksoi se në dy incidentet e fundit në qytetin e Nju Jorkut janë përfshirë shtetas të huaj që jetojnë në SHBA me kartën e gjelbër.
“Kongresi duhet të veprojë menjëherë”, tha ai. Presidenti Trump premtoi se këto dy programe të imigracionit “do të marrin fund”.
Ai tha se personi i parë erdhi në SHBA nëpërmjet programit të lotarisë së vizave, ndërsa tjetri përmes një lidhjeje familjare me një shtetas amerikan.
Këto komente, Trump i bëri gjatë një ceremonie nënshkrimi për Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin financiar 2018.



