Gjyqtarët, rezolutë KLGJ-së/ Kërkojnë ndërhyrje për sigurinë, ngarkesën dhe kushtet e punës

Gjyqtarët, rezolutë KLGJ-së/ Kërkojnë ndërhyrje për sigurinë, ngarkesën dhe kushtet e punës

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me një rezolutë ku ngre shqetësime serioze për funksionimin e gjykatave, veçanërisht Në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë. 

 

Sipas shoqatës, këto gjykata përballen prej vitesh me një mbingarkesë çështjesh dhe mungesë të gjyqtarëve dhe stafit administrativ. 

 

Ngarkesa mesatare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës kalon 1100 çështje për gjyqtar, ndërsa në Apel rreth 50 mijë dosje presin shqyrtim, me ankime që datojnë që nga vitet 2017–2018. 

 

Shoqata thekson se kjo situatë cenon parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm dhe dëmton besimin e publikut te drejtësia.

 

"Kjo situatë ka tejkaluar kufijtë e një vështirësie të përkohshme, duke cenuar drejtpërdrejt respektimin e parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, efikasitetin dhe eficiencën e administrimit të drejtësisë, si dhe perceptimin dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor. Kjo siuatë është shoqëruar madje dhe me raste ekstreme të cenimit të jetës së gjyqtarëve, deri në rastin tragjik të kolegut tonë gjyqtar z. Astrit Kalaja", thuhet në rezolutë. 

 

Një tjetër problem serioz mbetet mungesa e sigurisë në gjykata, përfshirë kontrollin e dobët të hyrjeve dhe mungesën e personelit të trajnuar. 

 

Shoqata i kërkon KLGJ-së ndërhyrje urgjente për forcimin e sigurisë, plotësimin e organikës dhe përmirësimin e kushteve të punës në gjykata. 

 

Në lidhje me sigurinë institucionale: 

1.1. Rritja e numrit të punonjësve të trajnuar për garantimin e sigurisë në gjykata dhe përmirësimi i statusit të tyre financiar.

1.2. Vendosja e detektorëve dhe pajisjeve të tjera të kontrollit në hyrjet e gjykatave.

1.3. Krijimi i ambienteve të ndara dhe të sigurta për gjyqtarët dhe administratën gjyqësore, në funksion të garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë.

1.4. Sigurimi i personelit të dedikuar për ruajtjen e rendit në sallat e gjykimit.

1.5. Krijimi i ambienteve të reja per salla gjykimi.

 

 Në lidhje me ngarkesën dhe menaxhimin e çështjeve

 

2.1. Plotësimi në mënyrë emergjente i vendeve vakante të gjyqtarëve në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Me qëllim plotësimin sa me shpejt të vendeve vakante, por edhe në funksion të mos cënimit të pavarësisë së brendshme të sistemit gjyqësor, propozojmë përshpejtimin e proceseve të vlerësimit të gjyqtarëve dhe mundësisht kryerjen e këtyre vlerësimeve përpara se gjyqtarët të hyjnë në proceset e ngritjes në detyrë apo të lëvizjeve paralele.

 

2.2. Në gjykatat e shkallës së pare propozohet mosshortimi i çështjeve të dorëzuar nga gjyqtarët për shkak të promovimit dhe lëvizjes paralele tek gjyqtarët aktualë të mbingarkuar, deri në emërimin efektiv të gjyqtarëve të rinj. Kjo kërkon eventualisht një ndërhyrje në vendimin nr. 724, datë 07.12.2023, të KLGJ-së. 

 

2.3. Përmirësimi i mekanizmave nënligjorë, vendimit nr. 724, datë 07.12.2023, të KLGJ-së, për të shmangur rishortimin e çështjeve në rast transferimi nga një seksion në një seksion tjetër brenda të njëjtës gjykatë.

 

2.4. Shtimi i stafit administrativ, veçanërisht i sekretarëve gjyqësorë, trajnimi i tyre për të përmirësuar nivelin profesional, shoqëruar me përmirësimin e trajtimit financiar. 

 

2.5 Implementimi i një sistemi të digitalizuar në gjykata, që do të rriste ndjeshëm eficiencën dhe efektivitetin në menaxhimin e çështjeve gjyqësore.

 

Në lidhje me vlerësimin dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve:

 

3.1. Përcaktimi i një ngarkese reale, objektive dhe të përballueshme çështjesh për çdo gjyqtar, duke garantuar një ndarje të drejtë dhe të barbartë mes tyre në shkallë gjykate dhe vendi.

 

3.2. Në lidhje me vendimin nr. 433, datë 22.07.2025, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për përcaktimin e afateve standarde minimale kohore dhe standardeve minimale sasiore”, vlerësojmë të përshtatshme dhe në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe ligjore, në kuadër të propozimit për ndryshimin e këtij vendimi, të parashikohen rregullime në lidhje me standartet që normojnë veprimtarinë e gjykatave në një situatë të jashtëzakonshme dhe/ose pezullimin e zbatimit të tij, gjatë periudhës tranzitore të mbingarkesës strukturore, deri në përmirësimin e situatës përmes plotësimit të vakancave dhe arritjen e ngarkesë reale të punës së gjyqtarëve sipas pikës 3.1. 

 

3.3. Moszbatimi i standardit 4-mujor për arsyetimin e vendimeve gjyqësore për aq kohë sa vazhdon situata e jashtëzakonshme e ngarkesës në punë.

 

3.4 Hartimi dhe zbatimi i një strategjie të unifikuar komunikimi institucional, me qëllim informimin transparent dhe objektiv të publikut mbi problematikat reale me të cilat përballet aktualisht sistemi gjyqësor, në funksion të ndërgjegjësimit mbi shkaqet e vonesave në gjykim dhe të forcimit të besimit të publikut në drejtësinë.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy