Një avion me 71 pasagjerë në bord u rrëzua ndërsa ulej në aeroportin e Katmandusë, në Nepal. BBC raporton se vetëm 17 persona kanë arritur të mbijetojnë.
Avioni doli jashtë pistës në ulje e sipër dhe mori flakë. Skuadrat e shpëtimit arritën të nxirrnin nga mjeti të mbijetuarit. Avioni i tipit Bombardier Dash Q-400 i përkiste një kompanie ajrore nga Bangladeshi US-Bangla.
Televizionet nepaleze transmetuan pamjet e avionit që digjej, ndërsa një re e madhe tyme ngrihej dhjetëra metra lart.
Sipas zyrtarëve të aeroportit, avioni kishte reduktuar shpejtësinë në fazën e uljes, por ka rrëshqitur sapo ka prekur tokën dhe ka dalë jashtë pistësduke përfunduar në një fushë futbolli.
Aeroporti i Katmandusë ka qenë shpesh skenë aksidentesh ajrore, për shkak të sigurisë së ulët. Në shtator 2012, një aeroplan turistësh që donin të ngjiteshin në malin Everest goditi një zog dhe u rrëzua vetëm pak pasi ishte ngritur, duke lënë të vdekur 19 persona.



