Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se nëse operacioni i Izraelit në Gaza do shkaktojë numër të lartë viktimash në radhët e civilëve, mund të shoqërohet me protesta dhe rrezik për përhapje të mëtejshme të konfliktit. Sipas Milos Hamasi e ka të humbur luftën frontale me ushtrinë e mirëorganizuar të Izraelit, të ndihmuar për më tepër nga SHBA-të. Ish-ministri i Jashtëm tha se Izraeli i ka absorbuar të gjitha territoret ku ka pasur ndërhyrje, dhe nuk beson se Gaza do të bëjë përjashtim.
Është një sondazh, një parapërgatitje në dy drejtime, e para për të matur pulsin si do reagohet, në prag të fillimit të operacionit të plotë që ka ndërmend të bëjë ushtria izraelite në Gaza, e dyta është një mesazh për të parë si do reagohet. Po të vësh re deklaratat e udhëheqësve botëror, veçanërisht SHBA-ve, ka një shqetësim. Biden është shumë i kujdesshëm që të jap mesazhin që të vihen në kërkim të një armëpushimi. SHBA janë vendi që kanë angazhimin më të madh dhe do kenë përgjegjësinë më të madhe për të zgjidhur këtë krizë. Një përhapje përtej të zakonshmes do sillte pasoja jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë. SHBA-të patjetër që Izraelit i kanë dhënë edhe këshilla, që s’mund të jenë publike, për masën me të cilën do prekë popullsinë civile gjatë operacionit që do kryejë. Në rast se s’do ketë viktima shumë do kalojë më lehtë. Në rast se do ketë një numër më të madh viktimash, sensibiliteti do jetë më i madh, protestat më të mëdha, dhe rreziku i përhapjes së konfliktit mund të qëndrojë si një nga opsionet më të mbështetura.
Vështirë se mund të ballafaqohet Hamasi me ushtrinë e mirëpërgatitur izraelite, sepse Hamasi më tepër ka vepruar duke përdorur elementin e befasisë, por në luftë frontale Hamasi e ka shumë të vështirë të përballojë një ushtri të mirëorganizuar dhe të mbështetur nga SHBA. Luftë frontale Hamasi s’bën dot, e ka të humbur, prandaj përdor atë sistemin e tuneleve, që janë rrugë ilegale. Mendoj që ushtria izraelite do ta ndërmarrë operacionin në mënyrë masive, me mjete të rënda, tanke, mjete të motorizuara dhe patjetër do jenë të shoqëruara edhe nga ana ajrore. Gjatë orëve dhe ditëve ne vijim ky operacion do ndërmerret, por me rezervën që mos shkaktojë pasoja civile, sepse do ketë pasoja të mëdha në nivel ndërkombëtar. Izraeli ka ndryshuar strukturat demografike të zonave që ka pushtuar, duke i konsideruar si pjesë të Izraelit.
Edhe Gaza vështirë se mund të rikthehet më. Përvoja ka treguar që Izraeli i ka absorbuar të gjitha territoret me Palestinezët. Vetëm po pati një ndërhyje madhore ndërkombëtare, që e shoh shumë të vështirë, sepse SHBA-të janë në anën e Izraelit në kuptimin e sigurisë. Vetëm zgjidhja me dy shtete është e vetmja që mund të krijojë një stabilitet në të ardhmen. Palestina nuk njihet si shtet. Por zgjidhja do të jetë që palestinezët, me anë të një kompromisi dy palësh që do bëhet, apo që mund të imponohet nga faktorët ndërkombëtar, në radhë të parë nga SHBA, që kanë tentuar në vitet e shkuara që të bëjnë një zgjidhje të tillë kompromisi mes dy palëve, por që në fund kanë qenë palestinezët që s’kanë rënë dakord. Nëse s’do ketë frenim të konfliktit dhe nëse zjarri përhapet, s’dihet se deri ku do ndalet”.



