Kryeministri Rama e konsideron tërësisht të merituar rekomandimin për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Në seancën e sotme në Parlament, Rama tha se ky vendim është njohje e prograsit që ka bërë vendi në vitet e fundit.
“Vendimi i bazuar mbi meritën. Komisioni europian nuk bën dhurata. Ai ka njohur progresin e bërë mjaftueshmërisht për të arritur në vendim. Në këtë arritje kanë pasur rol të gjitha prioritetet, por themelore ka qenë beteja jonë për vetingun. Ajo është një betejë e zhvilluar me forcë dhe vendosmëri në kushtet kur ne ishim vetëm. Vetëm në këtë sallë por jo në kuptimin e mbështetjes popullore dhe ndërkombëtare”, tha ai.
Rama tha se mbetet objektiv premtimi i fushatës për rritjen ekonomike në masën 5% deri në fund të mandatit të dytë.
“Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm, qoftë në rritjen ekonomike, qoftë në uljen e papunësisë. Qoftë edhe në balancën e brendshme të llogarive të shtetit. Nëse jemi rritur nga 0.diçka ku e nisëm në afro 4%. Brenda këtij mandati ne të kapërcejmë pragun 5%”, tha ai.
Kreu i qeverisë tha se sfida e radhës mbetet mbështetja e vendeve anëtare të BE-së për hapjen e negociatave. Në këtë pikë, Rama theksoi edhe ndikimin negativ të përpjekjeve për mbylljen e BE-së.
“Rekomandimi i KE është dokumenti që provon se ne i kemi bërë një për një të gjitha detyrat. Vendimi i vendeve anëtare është momenti që kërkon mbështetje. Jo të gjithë janë dakord me gjithçka. Në BE ka një dinamikë që flet qartë për kërcënim të projektit të BE, nga forca që duan mbylljen dhe jo hapjen”, tha ai.



