Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo mendon që SHBA ka qenë në dijeni dhe e ka miratuar sulmin e Izraelit ndaj objekteve bërthamore në Iran. Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV Milo tha se Shqipëria duhet të tregohet e kujdesshme dhe të linjëzohet me qëndrimin zyrtar të BE-së.
"Një konflikt midis dy vendeve do ketë rrjedhoja edhe më gjerë nëse përhapet, në gjithë rajonin, por mundet edhe më shumë. Unë mendoj mbështetur edhe në deklaratën e Trump, ai ishte në dijeni para se Izraeli të godiste objektet bërthamore dhe ushtarake iraniane. Fakti që SHBA-të se ndaluan një veprim të tillë, edhe nëse Izraeli do ta bënte me iniciativën e vet, kjo indirekt con në përfundimin që SHBA-të janë konsultuar dhe e kanë miratuar një veprim të tillë.
SHBA-të ditët e fundit kanë kundërshtuar mbledhjen në nivel të lartë të OKB-së, dhe s’do marrin pjesë mesa kuptohet, edhe kjo tregon që ka një mbështetje të qartë për Izraelin. Meqenëse SHBA-të mbetën të pakënaqur nga qëndrimi i udhëheqjes iraniane, atëherë në marrëveshje me Izraelin kanë bërë këtë veprim që u bë.
Izraeli ka si objekt strategjik për ta frenuar si një nga fuqitë më të mëdha rajonale. Ne si Shqipëri duhet ta shohim qëndrimin tonë ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme, me shumë kujdes, jo me partizanllëk, në përputhje me orientimin tonë në politikën e jashtme, që është integrimi në BE.
E kemi për detyrë të linjëzohemi me politikën e jashtme të BE. Shqipëria duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe të shkojë në një linjë me qëndrimet zyrtare të BE. Irani s’do rrijë pa u përgjigjur dhe pa reaguar".
Milo tha se prapa termave të Kremlinit që këshilluan kujdes, kishte një notë që nënkuptohet se Rusia është e pakënaqur se si SHBA dhe Izraeli po veprojnë ndaj Iranit. Ai shtoi se ka edhe lidhje ushtarake mes Rusisë dhe Iranit.
Profesori i shkencave politike Medlir Mema mendon që SHBA i hapi rrugë sulmit të Izraelit për ta sjellë Iranin në tryezën e bisedimeve.
“Mendoj që ka shumë hiperbolë, sepse po konsiderohet një sulm ndaj disa qendrave strategjike, të vrarë ka pasur, por jo aq shumë, ndaj disa shënjestrave strategjike, që unë e lidh në mënyrë të drejtpërdrejt me ngërçin diplomatik mes Iranit dhe SHBA-ve. Ky plan ka qenë në sirtarët e Netanjahu....Sulmi raketor e bën të pamundur ndryshimin e situatës, sepse Izraeli i asgjëson raketat.
Nuk bëhet fjalë për një luftë, nuk bëhet fjalë për një përshkallëzim të mëtejshëm. Në politikën e jashtme ke dy mjete, shkopin dhe karotën. SHBA i ka hapur rrugën Izraelit për një sulm që ta sjellë Iranin në tryezën e bisedimeve. Asnjëherë s’mund të nënvlerësohet Irani në aspektin diplomatik. Irani ka një politikë afatgjatë që shkon përtej këtij momenti. Irani ka kushte të vështira sepse s’ka aleatët tradicionalë.
Duhet të jenë të kujdesshëm edhe në Shqipëri, sepse kemi qenë nën shënjestër në aspektin kibernetik dhe jo vetëm. Është paralajmëruar një sulm ndaj forcave ushtarake amerikane në Irak, por s’besoj se do ndodhë diçka e tillë, se do ishte vetëvrasje. Irani do fitojë pak kohë, dhe brenda dy tre muajsh do kemi sërish diskutime mes SHBA-ve dhe Iranit, për të ardhmen e programit nuklear”.



