Dita e djeshme ka shënuar edhe mbylljen e ankimimeve për zgjedhjet e 25 qershorit. Mbi 20 mijë komisionerë të Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane, në të gjitha komisionet e administrimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit 2017, hedhin poshtë alibinë ish-kryeministrit Sali Berisha dhe pasardhësit të tij politik, Lulzim Basha, për tjetërsimin e votës së qytetarëve shqiptarë.
Të besuarit e opozitës në qendrat e votimit dhe grupet e numërimit të votave nuk konfirmojnë asnjë pretendim të humbësve të zgjedhjeve, për tjetërsimin e votave, sidomos gjatë procesit të numërimit. Dy javë pas disfatës më të rëndë në karrierën e tyre politike, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, po tentojnë të justifikojnë humbjen në sytë e demokratëve, duke ndërtuar një alibi për humbjen e radhës, të shtatën që nga zgjedhjet lokale të 2011, shkruan sot “Shqiptarja.com”.
Berisha ka kërkuar hapjen e kutive të votimit në Qarkun e Tiranës dhe në të gjitha qarqet e tjera, me pretendimin se votat janë tjetërsuar gjatë procesit të numërimit. Ndërsa Lulzim Basha shkon edhe më tej, teksa thotë se votat janë blerë para se Partia Demokratike të niste fushatën.
Pretendime të tilla, sidomos ai i Berishës, mbështeten edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe PDIU, të cilat së bashku me PD do të jenë gjithashtu në opozitë për katër vitet e ardhshme.
Por, akuzat për vjedhje të votave duket se konsistojnë thjeshtë në strategjinë e re politike dhe në funksion të qetësimit të turbullirave të brendshme në parti, pasi pretendime të tilla nuk reflektohen në shënimet e komisionerëve të Partisë Demokratike apo edhe të LSI.
Anëtarët e grupeve të numërimit të PD-PR dhe përfaqësuesit e tyre në KZAZ e përkatëse, nuk kanë shënuar asnjë pasaktësi në procesverbalet e konstatimit për procesin e numërimit të votave.
Në kushtet kur disa përfaqësues të PD kanë hedhur dyshime për blerjen e numëruesve të tyre, puna korrekte e numëruesve të opozitës konfirmohet edhe nga vëzhguesit e Partisë Demokratike, të cilët nuk kanë njoftuar për asnjë mospërputhje apo parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave apo edhe procesit të votimit. Numërimi i votave në përputhje me ligjin është reflektuar edhe në numrin e paktët të ankesave të subjekteve zgjedhore për rezultatin e zgjedhjeve.



