Bosi meksikan i drogës Ismael “El Mayo” Zambada dhe djali i ish-partnerit të tij, Joaquin “El Chapo” Guzman, u arrestuan të enjten në El Paso, Teksas.
Zambada është një nga trafikantët më të rëndësishëm në historinë e Meksikës dhe bashkëthemeloi kartelin Sinaloa me El Chapo, i cili u ekstradua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2017 dhe po vuan dënimin e përjetshëm në një burg të sigurisë maksimale.

Operacioni u njoftua nga Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Merrick Garland. Një burim nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare zbuloi se arrestimet u kryen falë një kurthi, ku dy të kërkuarit u mashtruan dhe u bindën të hipnin në një fluturim privat me drejtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Administrata e SHBA-së për luftën kundër drogës kishte ofruar një shpërblim deri në 15 milionë dollarë për informacionin që mund të çonte në arrestimin e 76-vjeçarit Zambada.
Ai përballet me akuza të shumta në SHBA, mes tyre për prodhimin e kokainës, heroinës, metamfetaminës dhe fentanilit, si dhe vrasje dhe pastrim parash
Ovidio Guzman, djali tjetër i El Chapo, u ekstradua nga Meksika në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shtator. El Chapo u dënua me burgim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara në vitin 2019.
Zambada ishte i njohur për mbajtjen e një profili të ulët dhe shmangien e stileve të jetesës së bosëve të tjerë të drogës çka ka bërë që të mbijetojë. Djemtë e tij Ismael dhe Vicente, së bashku me vëllain e tij Jesus “El Rey” Zambada, u arrestuan të gjithë dhe u ekstraduan në Shtetet e Bashkuara.



