Ish-kreu i KQZ Kristaq Kume duke folur në Mcn Live mbi Reformën Zgjedhore theksoi se duhet prodhuar presion te PS dhe PD, pasi dy partitë e mëdha mund të përsërisin veprime të së kaluarës, kur kanë bërë ndryshime në momentin e fundit. Po ashtu Kume theksoi se legjislacioni s’është i mjaftueshëm nëse nuk ka vullnet për zbatimin e tij. Kume tha ndër të tjera se ka frikë se mund të ketë një marrëveshje mes PS dhe PD, nisur edhe nga prononcimet e para të përfaqësuesve politikë të dy partive të mëdha.
"Rënia dakord për të filluar punën për Reformën Zgjedhore është një ngjarje e ditur, e përsëritur, e kahershme, dhe që në të shumtën e saj s’ka sjellë produktet që janë deklaruar. Nuk duhet të nisemi nga ajo që forcat kryesore politike, apo Kuvendi, vendosi të ngrejë strukturën përkatëse, dhe të themi sa mirë që u bë dhe të flemë. Jo, duhet të jemi syçelur. S’kemi pse të themi që ata kanë kapërcyer ylberin dhe gjithçka do të bëjnë ndryshe nga më përpara.
Organizatat e shoqërisë civile dhe forcat e ndryshme politike brenda dhe jashtë Kuvendit të prodhojnë atë presionin e nevojshëm ndaj dy partive kryesore që me vullnetin e tyre s’kanë dashur ta bëjnë Reformën Zgjedhore dhe t’i bëjnë ndryshimet në momentin e fundit, gjë që mund të na përsëritet. Edhe në qoftë se bëhet gjithçka siç deklarohet prej tyre, po prapë s’mjafton, sepse unë këmbëngul se çfarë shkruhet në legjislacion është vetëm kusht për produktet zgjedhore, por jo i mjaftueshëm, pasi duhet vullneti për t’u zbatuar.
Nuk duhet t’i lëmë që këtë punë ata ta bëjnë vet. Duhet të jemi pjesë, me aq efekte dhe punë të bërë njësoj sa ata. Gjithë të tjerët, kanë tjetër objektiv nga ai që kanë dy partitë e tjera politike. S’i mund t’i detyrojmë t’ia lëmë kohës. Nëse çdo gjë do bëhet në interes të dy njerëzve, ajo që do ndodhë do jetë e keqja e radhës.
Sa ne mund ta pengojmë të ndodhë kjo e keqe, kjo është shumë e rëndësishme. Pastaj zgjidhjet, ta ndryshojmë sistemin, ta bëjmë me një zonë zgjedhore, duhet të futemi në Kushtetutë. Ja ku e ke Maqedoninë me 6 njësi zgjedhore. Po qe se do t’i lëmë ta bëjnë vet ata, ne e dimë çfarë do të thotë t’ua lësh dy kryesorëve. Frika se mund të ketë një marrëveshje, ka filluar të duket me ato shprehjet që ‘jemi dakord’".
Kume theksoi se duhet të ngrihet një Komision Kushtetues mbarë kombëtar, dhe jo vetëm politik, ku të gjithë të jenë pjesë e saj.



