Java ka nisur me reshje lokale shiu, por sipas IGJEUM, moti nuk pritet të jetë i paqëndrueshëm gjatë gjithë javës.
Meteorologia Anira Gjoni, në një lidhje për “MCN Live”, parashikon reshje të dobëta shiu vetëm në fillim të javës dhe ditën e premte, ndërsa në ditët e tjera priten kthjellime dhe kushte të mira atmosferike.
Sot kemi nisur javën me reshje të dobëta shiu që pritet të prekin pothuajse të gjithë territorin e vendit, por do të jenë kryesisht të dobëta dhe lokale. Gjatë javës moti do të karakterizohet nga alternime vranësirash dhe kthjellimesh.
Edhe dita e premte do të sjellë një tablo të ngjashme me reshje të lehta dhe të përkohshme, ndërsa pjesa tjetër e javës do të shoqërohet me përmirësim të kushteve atmosferike dhe rikthim të diellit, veçanërisht nga e marta deri të enjten.
Sa i përket temperaturave, pritet një rënie e lehtë në zonat malore.
Temperaturat maksimale gjatë ditës parashikohet të arrijnë:
- deri në 16°C në zonat bregdetare,
- rreth 17°C në zonat e ulëta,
- dhe deri në 11°C në zonat malore.



