
Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, thotë se nuk do të jetë pjesë e kabinetit të ri të kancelares Merkel. Politikani socialdemokrat e ka bërë të ditur vendimin e tij përmes një postimi në “Tuiter”.
Gabriel mund të zëvendësohet nga ministri aktual i Drejtësisë, Heiko Maas, por kjo hipotezë nuk është konfirmuar ende.
"Andrea Nahles dhe Olaf Scholz më kanë komunikuar sot se nuk do të jem më pjesë e qeverisë së re. Jam njësoj si më parë deputet i Bundestagut, por përfundojnë këtu edhe detyrat e mia si pjesë e lidershipit të PSD-së”, ka shkruar Gabriel.
Politikanë me një përvojë 30-vjeçare, 18 prej të cilave në funksione drejtuese të partisë së socialdemokratëve, ka qenë pjesë e disa kabineteve të Merkelit. Ish-kreu i socialdemokratëve ka shprehur falënderim për shanset e dhëna dhe përvojën e krijuar në vite.



