
Një gjykatë në Ekuador vendosi të hënën t’i heq shtetësinë themeluesit të WikiLeaks Julian Assange.
Vendimi i gjykatës anuloi statusin e Assange si një qytetar i Ekuadorit, të cilin e mori në dhjetor të 2017 nga presidenti i atëhershëm Lenin Moreno.
Carlos Poveda, avokati i Assange në Ekuador, i tha CNN se ai do të apelojë vendimin.
Assange, një australian, kaloi gati shtatë vjet i fshehur në Ambasadën Ekuadoriane në Londër i mbrojtur nga statusi i azilit, për të shmangur ekstradimin në Suedi.
Ai u arrestua përfundimisht në vitin 2019 nga policia e Londrës me qëllim ekstradimin drejt SHBA-së për akuzat e komplotit për vjedhjen e sekreteve ushtarake dhe publikimin e dokumenteve nga WikiLeaks.
Arrestimi i tij erdhi pasi ambasada ekuadoriane humbi durimin me themeluesin e WikiLeaks dhe i hoqi statusin e azilit. Në atë kohë, Ministri i Jashtëm José Valencia dhe Ministri i Brendshëm María Paula Romo akuzuan Assange për ngasje të skuterëve nëpër korridoret e ngushta të ambasadës, fyerjen e stafit dhe njollosjen e mureve me jashtëqitje.
Assange aktualisht është në burg në Mbretërinë e Bashkuar për shkeljen e kushteve të tij të lirimit kur hyri në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur ekstradimin në Suedi.
Në janar, një gjykatës britanik hodhi poshtë kërkesën e Uashingtonit për të ekstraduar Assange në SHBA, duke vendosur se një veprim i tillë do të ishte "shtypës" për shkak të shëndetit të tij mendor.



