Reshjet e orëve të fundit kanë shkaktuar situatë problematike, kryesisht në veri të vendit. Prej mbrëmjes së të shtunës rajoni i Lezhës është përfshirë nga stuhi me reshje shiu.
Për rrjedhojë janë krijuar probleme në zonën turistike të Shëngjinit, ku janë përmbytur disa akse rrugore, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Gjithashtu ka shtim të prurjeve në lumenjtë Drin dhe Mat, por aktualisht nuk kanë rrezik për dalje nga shtrati. Nga moti i keq është pezulluar dhe lundrimi detar për të gjitja mjetet, pasi dallgëzimi është shumë i lartë. Po ashtu ka probleme me furnizimin me energji elektrike në fshatrat e Lezhës për shkak të dëmtimit të linjave.
Ndërkohë në territorin e bashkisë Fushë-Arrëz vazhdojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë dhe erë të fuqishme. Aktualisht raportohet për dëmtim të infrastrukturës rrugore rurale, në të gjitha njësite dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Reshjet e dendura gjatë natës kanë sjellë prurje të madhe të ujërave edhe si pasojë kanë dalë nga shtrati përroi i quajtur Gline dhe lumi Gjadër të cilët kanë dëmtuar rrugë lagjesh edhe infrastrukturën në qytetin e Vaut të Dejës, Njësinë Vig-Mnelë dhe Njësinë Hajmel, Shllak. Për rrjedhojë nuk ka energji elektrike në pothuajse të gjitha njësitë administrative.
Bashkia Shkodër po merr masa për evakuimin e banorëve në rast se do të ketë përkeqësim të situatës pasi reshjet po vazhdojnë me intensitet të lartë.
Si rezultat i reshjeve të shumta ka dalje të përrenjve nga shtrati dhe përmbytje të një sipërfaqe prej 400 hektarë në Fushën e Muriqanit, Njësia Administrative Ana e Malit.
Prezencë uji dhe bllokim ka në disa zona në Velipojë, Dajç dhe Bërdicë si dhe dëmtime të rrugëve dytësore pothuajse në të gjitha njësitë.
Për shkak të inerteve ka bllokim të rrugës kryesore në Zues, ku lëvizet në një sens drejtimi.
Nga Thethi, Njësia Administrative Shalë ka dalje nga shtrati të përroit Nikgjonaj dhe për rrjedhojë prezencë uji në 3 banesa.
Sakaq mungesë energjie elektrike ka pothuajse në të gjitha njësite. Në Malësi të Madhe, si rezultat i rënies në sasira të mëdha përroi i thatë në fshatin Kamicë ka dalë nga shtrati.
Në Bajzë ujërat kanë depërtuar në dy familje te Mark Qosja dhe Asllan Culaj ku mjetet e MNZSH kane punuar për thithjen e ujit me pompa.



