Sëmundjet seksualisht të transmetueshme po njohin një rritje të ndjeshme në Shqipëri gjatë viteve të fundit.
Ekspertët e shëndetit publik dhe mjekët specialistë ngrenë alarmin për shtimin e rasteve me HIV/AIDS, sifiliz dhe hepatite virale, ndërsa theksojnë se mungesa e edukimit seksual dhe mos përdorimi i masave mbrojtëse mbeten faktorët kryesorë të përhapjes.
Mjekja gjinekologe, Denisa Golemi, shpjegon se sëmundjet seksualisht të transmetueshme përfshijnë një spektër të gjerë infeksionesh virale, bakteriale dhe parazitare që prekin organizmin.
Ndër sëmundjet seksualisht të transmetueshme janë HIV/AIDS, hepatitet virale, sifilizi, si dhe infeksione të tjera bakteriale apo parazitare. Ka një spektër të gjerë sëmundjesh që transmetohen seksualisht dhe që prekin gjithë sistemin e trupit.
Sipas saj, HIV/AIDS dhe hepatitet rezultojnë ndër sëmundjet më të përhapura, ndërsa rastet e raportuara tregojnë vetëm një pjesë të problemit real.
Të paktën nga raportimet ka rritje të rasteve me HIV/AIDS dhe sifiliz. Shqetësues është fakti që këto janë vetëm rastet e dokumentuara, ndërsa mund të ketë shumë të tjera të padiagnostikuara. Shumë pacientë paraqiten në faza të avancuara të sëmundjes, çka tregon se infeksioni nuk është kapur herët.
Golemi theksoi se meshkujt rezultojnë më të prekur nga HIV për shkak të sjelljeve më të rrezikshme seksuale dhe mungesës së kontrolleve periodike.
Meshkujt janë më pak të kujdesshëm në përdorimin e mjeteve mbrojtëse dhe kryerjen e analizave. Ndërsa gratë monitorohen më shpesh, sidomos gjatë shtatzënisë, meshkujt rrallë bëjnë kontrolle rutinë edhe pse testimet janë falas dhe anonime.
Ajo ndaloi edhe tek paragjykimi që shoqëron personat e prekur nga këto sëmundje.
Pacientët ndihen të paragjykuar dhe kjo i step të kërkojnë ndihmë. Por koha është çelësi, sepse diagnostikimi i hershëm bën diferencën.
Nga ana tjetër, mjeku dhe lektori i shëndetit publik, Qamil Dika, e cilësoi situatën një kambanë alarmi, sidomos në prag të sezonit veror dhe rritjes së turizmit.
Rritja e rasteve përbën një kambanë alarmi. Shqipëria po përjeton rritje të turizmit dhe bashkë me të është shtuar edhe turizmi seksual, gjë që sjell pasoja në përhapjen e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Sipas tij, nuk bëhet fjalë vetëm për shtim të rasteve me HIV dhe sifiliz, por edhe për sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme.
Nuk kemi vetëm rritje të HIV-it dhe sifilizit, por edhe të infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme. Kjo është një problematikë serioze dhe qytetarët duhet të tregohen më të kujdesshëm.
Dika nënvizoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm për të shmangur komplikacionet dhe përhapjen e infeksioneve.
Diagnostikimi i vonë rrezikon jo vetëm shëndetin individual, por edhe atë publik. Identifikimi i hershëm është thelbësor për të parandaluar përhapjen e infeksionit, aq më tepër kur dhe kurimi është falas.



