Gjashtë vite më parë do të konsiderohej denoncimi më i bujshëm. Dosja Babalja në 2024 dërgoi në qeli deputetin Ervin Salianji, ndërsa pas denoncimit të tij që për drejtësinë konsiderohet kallëzim i rremë sot gjithçka është kthyer në debat politik.
Kush e burgosi Ervin Salianjin? Deputetin e Partisë Demokratike apo ministrin e Brendshëm nën hije të opozitës. Kjo pyetje do të mbetet gjatë me përgjigje sipas interesave dhe politizimit.
Vetë opozita e cilëson kryekëput një dënim politik deri në kufijtë e cenimit të lirisë së shprehjes, ndërsa mazhoranca ka reaguar nëpërmjet kryeministrit Rama që e cilëson një lajm të mirë për lirinë e për demokracinë.
Emisioni FactCheck sjell një rrugëtim të procesit i cili nisi me një denoncim në vitin 2018 dhe përfundoi me burgosjen e Salianjit.
Ishte kjo konferenca për shtyp dhënë krah Enkeleid Alibeaj dhe Gazment Bardhit në PD e drejtuar asokohe nga Lulzim Basha.
Nga kjo konferencë duket se u vulos edhe fati politik i Ervin Salianjit si në rritjen e tij brenda PD e po ashtu dhe burgosjen e tij.
Denoncimi bëri që vëllai ish-ministrit të Brendshëm të qeverisë socialiste Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj të rikthehej në Itali për të vuajtur një dënim ende të pashlyer.
Ndërsa 6 muaj nga denoncimi, vetë Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen në tetor 2018 si ministër i Brendshëm.
Ky denoncim prodhoi një debat të madh politik ndërsa shpejt në lojë hyri edhe drejtësia. Dikur Krimet e Rënda nisën një hetim, ndërsa më pas gjithçka u transferua për kompetencë tek Prokuroria Tiranë.
Ndaj Ervin Salianjit u ngrit një akuzë nga prokuroria e cila kërkoi dënimin e tij. Këtë kërkesë e miratoi në dhjetor të vitit 2019 gjyqtari Artan Gjermeni duke vendosur.
Ky vendim i Shkallës së Parë dhënë në 2019, më 26 shtator 2024 afro 5 vite më vonë do të lihej në fuqi nga Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm.
Nga ky moment versionet ishin të shumta, por vetë Salianji zgjodhi të respektojë ligjin. Ai u vetëdorëzua duke e bërë dënimin e ekzekutueshëm.
Mbrëmjen e 27 shtatorit ai u fut në burgun e Fierit, teksa është akomoduar në një qeli të veçuar kjo edhe për arsye sigurie.



