Presidenti amerikan Joe Biden do të nënshkruajë të hënën më 9 maj, ditën në të cilën Rusia feston fitoren ndaj nazistëve në Luftën e Dytë Botërore, ligjin që do të përshpejtojë furnizimin me armë në Ukrainë.
Një fakt i tillë u bë i ditur nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Vendimi ishte miratuar nga Dhoma dhe Senati në fund të prillit.
Ligji, i cili quhet “Akti i huadhënies për mbrojtjen e demokracisë së Ukrainës”, është frymëzuar nga vendimi i vitit 1941 që lejoi SHBA-në të armatoste ushtrinë britanike kundër Hitlerit dhe lejon huadhënien e pajisjeve ushtarake për çdo qeveri të huaj “mbrojtja e së cilës vlerësohet jetike nga presidenti amerikan”.
Qysh nga nisja e agresionit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt, janë vrarë me mijëra në radhët e popullsisë civile si dhe nga ushtritë e të dyja krahëve.



