
Një vajzë dy vjeçare vdiq pas një incidenti që përfshinte policinë e armatosur belge dhe një furgon që mbante refugjatë pranë qytetit Mons në jug të Belgjikës.
"Vajza e vogël nuk vdiq si pasojë e zjarrit të policisë", tha Frédéric Bariseau, një zëdhënës në prokurorinë e Tournai, e cila po e trajton rastin.
Ai sugjeroi disa shkaqe të mundshme për vdekjen e vajzës: një sëmundje, një aksident brenda kamionit të shkaktuar nga sjellja e shoferit, ose një goditje në kokë.
Prokuroria belge ka hapur një hetim për vdekjen e fëmijës, ndërsa policia tha se vajza kishte ndërruar jetë shumë shpejt, ndërsa bëri të ditur gjithashtu se pati edhe një përleshje, shoqëruar edhe me të shtëna. Ndjekja kishte nisur në dalje të qytetit Namur, në autostradën “E42”, raporton BBC.
Furgoni ishte drejtuar për në perëndim për disa kilometra, duke iu shmangur policisë, por besohet të jetë përplasur me një tjetër mjet pranë Monsit, e më pas vajza u gjet e vdekur.
Ngjarja kërkoi angazhimin e 15 automjeteve të policisë dhe 30 efektivëve për t’i dhënë fund kësaj drame rreth orës 3 të mëngjesit të kësaj të enjteje.
Zyrtarët zbuluan se automjeti përmbante 26 të rritur, tre fëmijë dhe trupin e vajzës, të quajtur "Mawda" sipas miqve të familjes. Ajo po udhëtonte në anën e pasme të furgonit me prindërit e saj kurdë-irakenë dhe vëllain trevjeçar, asnjë prej të cilëve nuk u lëndua. Një burim i tha Guardian se policia hapi zjarr në furgon në një përpjekje për ta ndaluar atë.

Emigrantët që mbetën në automjetit u arrestuan në vendngjarje dhe po mbahen në një stacion lokal të policisë, ku do të merren në pyetje.
Kuptohet që Mawda u dërgua në një spital lokal ku u shpall i vdekur, ndërsa autoritetet belge thanë se do të kryehet një autopsi.
Sipas policisë, disa trafikantë të qenieve njerëzore ishin përfshirë në këtë dramë.
Sipas raportimeve të mediave, Mawda dhe familja e saj janë refugjatë kurdë të cilët kohët e fundit ishin deportuar në Gjermani, por ishin rikthyer në Belgjikë, ku po qëndronin derisa mund të largoheshin për në Mbretërinë e Bashkuar.
Disa orë pas incidentit, një grup prej 60 emigrantësh reaguan duke bllokuar një autostradë pranë Dunkirkut, në kufirin jugor mes Belgjikës dhe Francës.



