Mjeku veteriner Rushan Vrapi, për shpërthimin e gripit të shpendëve në vendin tonë iu bën thirrje fermerëve që të tregohen të kujdesshëm kur konstatojnë ngordhje të tyre në masë dhe të njoftojnë veterinerin i cili më tej njofton autoritetet.
Duke folur për MCN Live, Vrapi deklaroi se që prej vitit të kaluar ka pasur shpërthim të gripit të shpendëve, ku ka dalë një oborr familjar që mbarështonte gjela deti dhe se oborri familjar dhe gjithë shpendët e ngordhur janë asgjësuar dhe groposur.
Mjeku veteriner sugjeron diagnozën e shpejtë nga autoritetet dhe apelon qytetarët që të mos blejnë mish shpendësh në tregje të palicencuara dhe në rrugë.

Ka pasur gjetje të shpendëve të ngordhur në bregun e Vlorës. Në një oborr familjar në Paskuqan ka pasur disa shpendë që kanë ngordhur, rreth 30-40 shpendë.
Personalisht kam shkuar te ferma në Paskuqan në datë 3 dhe përgjigja ka dalë me vonesë, tre ditë më vonë, gjë që është shumë e vonuar.
Diagnoza duhet të dalë brenda ditës, sa më shumë vonon diagnoza aq më shumë shtohet mundësia që rastet të përhapen.
Është ndaluar tregtimi i shpendëve të gjallë pa pasur certifikim nëse janë të pa prekur nga gripi.
Bëhet fjalë për shtamin tmerrësisht patogjen, shtami që në SHBA vende si Florida dhe Kalifornia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme prej gripit të shpendëve H5N1, pasi një person ka vdekur.
Ky grip është prezent jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë Ballkanin prej dy vitesh.
Prania e këtij gripi do të jetë gjithmonë, ndaj duhen marrë masa. Sëmundjet infektive kanë parimin e ajsbergut, që ne shohim vetëm majën dhe jo pjesën tjetër.
Autoritetet duhet të kenë një vigjilencë të vërtetë. Problemi më i madh i vendeve si Shqipëria është që kjo sëmundje të mos hyjë në kapanonet e mëdha, se mund të shkaktojë dëme marramendëse.
Autoritetet duhet të bëjnë monitorimin, gjurmimin dhe diagnostikimin e shpejtë.
Stafet veterinare duhet të kenë një veshje të caktuar kur bëjnë inspektimin gjatë ndërhyrjes në një vatër aktive të gripit të shpendëve, se në të kundërt rrezikon shëndetin e vetë, së dyti rrezikon transmetimin nga një fermë në një tjetër.
Veshja e posaçme dhe maska duhet të jenë vetëm një përdorimshme, se në të kundërt rrezikohet përhapja e infeksionit.
Temperaturat e larta e shkatërrojnë dhe neutralizojnë virusin.
Problem janë oborret familjare, vetë qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm që të mos blejnë mish shpendësh në vende të palicencuara dhe në rrugë.
Fermerët dhe mbarështuesit e shpendëve, gjëja e parë që konstatojnë në rastin e gripit të shpendëve është një ngordhje shumë e madhe shpendësh brenda 24 orësh ngordhje në masë dhe për rrjedhojë fermeri duhet të informojë veterinerin shtetëror ose privat, pasi më pas veterineri njofton autoritetet kur dyshon për grip.
Dhe më pas vendos laboratori se kush shtam i gripit është. Mënyra më e mirë e asgjësimit të shpendëve nuk është groposja, pasi është e vendeve të treta.
Mënyra më e mirë është krematoriumi dhe në Shqipëri ne e kemi një mënyrë të tillë.
Përhapja bëhet nga shpendët e egra migratore, të cilat shërbejnë si mbartëse të virusit.
Banorët në zonat e bregdetit duhet të njoftojnë sa herë shohin një shpend të ngordhur.



