Operacioni për shpëtimin e katër turistëve polakë, të cilët ranë në Kanionin e Gjipesë rreth orës 14:30, vijon ende për nxjerrjen e dy prej tyre, të cilët mbeten të bllokuar për shkak të terrenit tepër të vështirë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje ndërhynë shërbimet e Policisë së Himarës dhe forcat zjarrfikëse, por kushtet e vështira të terrenit e bënë të pamundur evakuimin e tyre.
Më pas, operacionit iu bashkuan efektivët e FNSH-së, alpinistë të specializuar dhe një helikopter i Forcave të Armatosura. Në orët e mbrëmjes, helikopteri arriti të evakuojë dy prej turistëve, ndërsa nuk mundi të nxjerrë dy të tjerët për shkak të relievit të thyer të zonës.
Aktualisht, operacioni po vijon nga toka me angazhimin e alpinistëve, efektivëve të FNSH-së dhe forcave zjarrfikëse. Njëri prej turistëve të mbetur ka pësuar dëmtime dhe pritet të transportohet me barrelë nga ekipet e kërkim-shpëtimit sapo kushtet të lejojnë evakuimin në mënyrë të sigurt.
Strukturat e emergjencës vijojnë punën pa ndërprerje për përfundimin me sukses të operacionit të shpëtimit.



