Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna në një lidhje skype me ‘MCN Economy’ ka komentuar lidhur me procesin e Berlinit për të cilin u shpreh se nuk kemi akoma një pasqyrë të dhënash për përfitimet e tij.
Ai tha se bashkëpunimi mes bizneseve shqiptare dhe atyre në Kosovë janë shumë të mira, ndërsa theksoi se axhenda ekonomike do të jetë axhenda që do të mbizotërojë në procesin e Berlinit.
Ndër vite kemi pasur zhvillime dhe marrëveshje të tjera si ato bilaterale dhe ne kemi shkëmbyer mallra mes vendeve të Ballkanit pastaj u hapëm dhe me BE dhe kjo na mundësoi të kemi shkëmbime dhe me vendet evropiane. Procesi Berlinit është i mirëseardhur, janë hapur mundësi shumë të mëdha mes vendeve të rajonit, projekti i vetmi që është i prekshëm dhe ka hapa konkretë dhe që ka kushte që ne duhet ti plotësojmë që më pas të dalim në tregun evropian. Ndër vite ka pasur dhe financime mirëpo e mira është se ka rifilluar dhe javën e ardhshme do kemi takimin në Tiranë dhe besoj se ka rezultate të prekshme.
Më tej ai shtoi se zgjidhja finale është se të gjitha shtetet e rajonit do të jenë brenda BE sepse s’ka kush ta pengojë këtë sepse dhe me dashur ne me e pengu do jetë BE që do na tërheqë.
Çështja e hapur mes Serbisë dhe Kosovës do ishte mirë të mbyllej për arsye se çdo tension i krijuar mes dy shteteve atëherë çdo tension që krijohet në Ballkan është mesazh i keq dhe hezitojnë investitorët për të investuar në Ballkan. Ne jemi një treg i vogël dhe si Ballkan sepse jemi vetëm 17 mln banorë prandaj duhet patjetër sa më shpejt ti bashkëngjitemi tregut evropian dhe për këtë ndihma e vetme është procesi i Berlinit. Në asnjë moment, e mira e krejt kësaj është se biznesmenët nuk i presin politikanët derisa ata të gjejnë gjuhën e përbashkët, biznesi ecën.
Sa i përket bashkëpunimit mes bizneseve, Rafuna tha se bashkëpunimi është i shkëlqyeshëm dhe kjo do të thotë shumë për qarkullimin e mallit mes Kosovës dhe Shqipërisë, por sipas tij ka vend dhe për më shumë dhe duhet ta mendojmë një plan konkret.
Raportet tona bilaterale mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të thellohen për të bërë biznes mes dy shteteve tona. Biznesi më i madh është nga kompani gjermane. Gjermania është shteti i Evropës, këtu ka ndikuar dhe diaspora jonë dhe më pas vijnë Zvicra, Austria me investime dhe më të pakta. Se di se cila është axhenda e kryeministrit, por e di që axhenda ekonomike do të jetë ajo që do të dominojë në proces. Procesi i integrimit në BE DHE AI I Berlinit janë dy procese të lidhura ngushtë me njeri-tjetrin.



