
Kuvendi, sipas të gjitha gjasave, pritet të mblidhet ditën e mërkurë për seancën parlamentare të radhës .
Kjo “lëvizje”, me gjasë, bëhet për të anashkaluar mbajtjen e protestave nga ana e opozitës, por opozita ka bërë të ditur se, ashtu si edhe herë të tjera, do të mbajë protestën para fillimit të çdo seance parlamentare.
Opozita ka vendosur që të mbledhë protestën gjysmë ore para fillimit të Kuvendit, i cili po mblidhet në data të ndryshme në javët e fundit, pikërisht për shkak të protestës.
Ndërkohë, një tjetër kandidat për deputet i opozitës ka vendosur që të marrë mandatin. Bëhet fjalë për kandidatin e PD-së në qarkun e Dibrës, Halil Jakimi, i cili ka dorëzuar këtë të hënë formularin e dekriminalizimit në KQZ.
Kujtojmë se numri i deputetëve ka shkuar në 100, dhe shumë shpejt pritet që edhe deputetët e rinj opozitarë në Parlament të krijojnë grupet e tyre parlamentare.



