Një ekip shkencor amerikan ka infektuar 56 vullnetarë me parazitin e malaries, që është përgjegjës çdo vit për vdekjen e përafërsisht 420 mijë njerëzve, shumica dërrmuese e të cilëve janë fëmijë afrikan. Pjesëmarrësit në studim u injektuan me tre doza intravenoze me variantin afrikan të parazitit, pastaj atyre u jepet një ilaç për të vrarë parazitin dhe më pas ri-infektohen pas tre muajsh me të njëjtin version ose me një variant brazilian për të verifikuar nëse injeksionet parandalojnë sëmundjen. Rezultatet deri më tani janë mbresëlënëse, me një mbrojtje mes 80 dhe 100 për qind, thotë mjeku Patrick Duffy, i cili është bashkë-drejtues i hulumtimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit në SHBA, në qytetin Bethesda.
Origjina e kësaj strategjie daton në fund të viteve 60-të. Mikrobiologu britanik David Clyde besonte se personat duhet të infektoheshin në mënyrë të qëllimshme me parazit të dobësuar, çka mund të shërbente si vaksinë kundër malaries. Ai e testoi idenë tek vetja, por eksperimenti nuk qe i suksesshëm.
Një nga arsyet për dështimin historik të vaksinave eksperimentale kundër malaries ka qenë ekzistenca e qindra llojeve të ndryshme të parazitit. Drejtori i programit të malaries në Institutin e Barcelonës për Shëndetin Global tha se gjëja më e rëndësishme për studimin e ri është që vaksina të funksionojë për llojet e ndryshme të parazitëve./El Pais/



