
Një 32-vjeçar me inicialet I.H., është arrestuar për veprën penale “plagosje të rëndë me dashje” lidhur me një ngjarje të ndodhur dje në Vlorë. I riu është konfliktuar për motive të dobëta me dy persona, dhe gjatë konfliktit i ka dëmtuar me thikë.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, u bë i mundur dokumentimi i plotë, bazuar edhe në pamjet filmike të siguruara nga vendi i ngjarjes, i konfliktit të ndodhur në Vlorë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin I. H., 32 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.
Ky shtetas, për motive të dobëta, është konfliktuar fizikisht, në lagjen “10 Korriku” dhe në lagjen “Pavarësia 2”, me dy shtetas të ndryshëm, të cilët gjatë konfliktit i ka dëmtuar me mjet prerës (thikë). Shtetasit e dëmtuar, M. F., 39 vjeç dhe K. K., 32 vjeç, kanë marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, edhe shtetasi i arrestuar I. H. ka marrë ndihmën mjekësore për dëmtimet e marra gjatë konfliktit.
Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i mjetit prerës (thikë) i përdorur nga shtetasi I. H”.



