
Ndërsa biznesi po përballet gjithnjë e më shumë me mungesën e fuqisë punëtore, qeveria ka bërë me dije se ka nisur negociatat me një shtet për të siguruar 40 mijë punëtorë.
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra tha në studion e emisionit “MCN Economy” se është e nevojshme që të krijohen standarde pasi nuk mund të marrim çdolloj punonjësi të huaj thjesht se duam të plotësojmë vendet vakante. Duke vijuar më tej, Shkodra theksoi se procesi i sjelljes së punonjësve duhet të jetë i ligjshëm.
Sipas Shkodrës agjencitë e punësimit duhet të pajisen me licenca në mënyrë që të mos ketë asnjë mundësi për zhvillimin e trafikut të qenieve njerëzore si dhe të ketë garanci për shtetin dhe punëdhënësin.
Kur themi për standarde themi të mos marrim masivitet të punonjësve të huaj thjesht se duam t’i zëvendësojmë këto vende që janë vakante. Është e rëndësishme që qeveria dhe në dijeninë time ka filluar përpjekjet për ta formalizuar edhe ndërmjetësimin për marrjen e punonjësve të huaj. Nuk mund të pranojmë më për shumë arsye çdo njeri që vjen dhe na paraqitet për të qenë i vlefshëm për tregun tonë të punës. Nevoja që kemi dhe padyshim është imediate, por ne duhet të dimë që duhet të ketë disa kritere. Duhet të ketë dhe një proces, i cili duhet të jetë jo vetëm i ligjshëm, por edhe i saktë për sjelljen e punonjësve të huaj. Kam parasysh vende të cilat kanë normuar marrëdhënien e ndërmjetësimit të këtyre njerëzve. E kanë normuar duke vendosur licenca për agjencitë e punësimit.
Këto agjenci punësimi duhet të jenë të dukshme, duhet të jenë garantuese të marrëdhënies së mëvonshme. Nuk mund të kemi situatë të trafikut të qenieve njerëzore. Është e panevojshme dhe e tepërt. Nuk mund të kemi situata të çuditshme mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, duke i mbajtur pasaportat.
Nuk kemi sot agjenci të certifikuara që janë të licencuara për tu marrë. Ne duhet të garantojmë jo vetëm punëmarrësin, por edhe shtetin pritësi që kjo lëvizje është e filtruar dhe ne do të kemi punonjësit e ardhshëm dhe jo vetëm punonjës për 30 ditë. Është e rëndësishme të kemi standardizim. Di që ka përpjekje nga shtete të ndryshme, kam parasysh Indinë. Ambasadori i Indisë ka qenë në takime me grupe interesi për të kuptuar se kush janë nevojat dhe si mund të jetë një ndërveprim me agjenci shtetërore të punësimit atje.



