Ish-kreu i Forcës Detare, Artur Meçollari i cili ka bërë kallëzim në SPAK ndaj Presidentit të zgjedhur Bajram Begaj, për kohën kur ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ngre pikëpyetje lidhur me “sekretin hetimor” të çështjes.
Gjithçka pasi Meçollari e kallëzoi gjeneralmajor Begaj, si përgjegjës për ndërtimin e paligjshëm, të kryer në brendësi të territorit të bazës ushtarake së Shëngjinit dhe kërkesa për statusin e tij u etiketua si sekret hetimor nga organi i akuzës.
Meçollari ngre pikëpyetje, nëse ka ose jo sekret hetimor, pasi shprehet se dy rrugë nuk ka dhe për këtë arsye nxjerr edhe dokumentet e depozituara në SPAK.
Ose ka sekret hetimor, ose nuk ka!!! Sipas SPAK ‘Kreu i ri i shtetit nuk është në hetim dhe nuk ka ndonjë hetim ndaj tij’. Përgjigja për kallëzuesin: sipas SPAK ‘është sekret hetimor’.
Ky reagim i Meçollarit vjen pasi SPAK në një përgjigje lidhur me statusin e kandidatit për President para votimit, deklaroi se procedimi penal për bazën e Shëngjinit është regjistruar, por në të nuk ka emra konkret.
Kujtojmë se Meçollari e akuzon Begaj për tjetërsim të pronave të ushtrisë.



