Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj, e sheh krizën politike si një faktor që dëmton ekonominë. Në një bisedë në studion e lajmeve në Tema TV, Malaj tha se nëse nuk gjendet një zgjidhje nga palët politike, atëherë vendi do të hyjë në një rreth vicioz që ndërthur krizën politike, ekonomike dhe sociale.
“Kemi një situatë të vështirë politike. Unë mendoj që liderët tanë politikë duhet të bëjnë një kompromis për zgjidhje, jo për zgjedhje. Jo për shkak të politikës, por për shkak të ekonomisë. Më vjen keq ta them parashikimin tim, por nëse kriza politike nuk zgjidhet, ne do të jemi para një krizë akoma më të madhe, që do të jetë ekonomike, social dhe politike. Dhe problemi më i madh njerëzor është që edhe pas një krize, të pasurit dalin më të pasur dhe të varfrit akoma më të varfër. Dhe në një vend që rritet varfëria, ai vend nuk gjen stabilitet politik dhe ushqen krizat e tij”, u shpreh Malaj.



