
Për pak minuta, përfundon votimi në Serbi për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. 8 mijë e 273 qendrat e votimit u hapën në orën 7 të mëngjesit ndërsa në 7 orët e para pjesëmarrja e zgjedhësve ka qenë 32.38 përqind nga 6 milionë e gjysëm qytetarë që kanë të drejtë vote.
Problematikat e vetme janë raportuar vetëm në një qendër votimi ku një votues tentoi të përdorë celularin dhe menjëherë ka ndërhyrë policia për ta shoqëruar.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në Serbi sqaroi se nuk do të ketë rezultat përfundimtar para orës 23 të mbrëmjes së sotshme.
Në këto zgjedhje, është vënë re interesimi i lartë i votuesve serbë nga Kosova të cilët u organizuan me autobusa për të udhëtuar drejt Serbisë pasi për të dytën herë radhazi nuk mund të votojnë në komunat e tyre në Mitrovicën e Veriut.
Kurse shqiptarët e Luginës së Preshevës kësaj radhe dolën të ndarë në dy lista, Beteja politike e shqiptarëve vazhdon me kryesues Shaip Kamberin dhe Alternativa Demokratike Shqiptare- Lugina e Bashkuar me kryesues Shqipërim Arifin.



