Çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në 224 lek për litër duke shënuar vlerën më të lartë që nga lufta në Lindjen e Mesme. Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një bashkëbisedim me mbështetësit në rrjetet sociale akuzoi qeverinë se nuk po ndërmerr masat e nevojshme për të ndikuar në uljen e çmimit të naftës.
Sipas Berishës masa e duhur nuk do të ishte ulja me 20% e akcizës por të përgjysmoheshin taksat. Berisha ka dalë kundër vendimit të kryeministrit i cili ka njoftuar se do të hap një kompani shtetërore për sektorin e hidrokarbureve.
“Edi Rama taton naftën 1.1 euro për litër sa asnjë vend tjetër në botë, 60 përqind të çmimit. Masat që ka shpallur janë qesharake. Nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë ndikim. Masa të vërteta janë ato që i shpalli Australia dhe po i shpallin vende të tjera. Përgjysmim i taksave të naftës. Me fjalë të tjera, në qoftë se Shqipëria merr 1.1 euro për litër të naftës, qeveria këto taksa duhet t’i ulë në një shumë të përbashkët 0.55 euro për litër naftë. Dhe me këtë nuk bën gjë tjetër veçse barazon taksën me shumicën e vendeve anëtare të BE. Në pamje të parë, taksa e naftës rëndon në xhepat e atyre që kanë vetura, dhe sigurisht rëndon në xhepat e tyre më shumë, por e vërteta është se ata që kanë më pak rëndohen më shumë.
Dhe ata që kanë më pak janë ata që nuk kanë vetura sepse nafta ndikon direkt në transportin e të gjitha llojeve. Nafta ndikon direkt tek çmimi i bukës, tek çmimi i ushqimeve, tek prodhimet bujqësore, pra ka ndikime të shumëllojta dhe dhimbje më shumë krijon tek ata që nuk kanë makina. Kështu që është emergjente përgjysmimi i taksave. Me specialistët më të mirë të fushës jemi marrë në mënyrë intensive për të parë çdo variant të mundshëm dhe absolutisht nuk ka asnjë mundësi tjetër për të ndihmuar qytetarët përveç përgjysmimit të nivelit absurd të taksës 1.1 euro që nuk ekziston askund në botë.”



