
Pas skandalit me mikrokreditë mazhoranca ka propozuar ndryshime në Kodin Civil, konkretisht me mënyrën e ekzekutimit të tyre. Në draftin e siguruar nga MCN thuhet se urdhër ekzekutimet për kreditë dhe mikrokreditë i hiqen gjykatës dhe kalojnë tek noteri.
Avokati Kujtim Cakrani tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve të MCN Tv se ky projektligj do të sjellë lehtësime procedurale, megjithëse nuk e zgjidh përfundimisht problemet e qytetarëve dhe as nuk ul stokun e dosjeve në gjykata.
Duke vijuar Cakrani thotë se noteri do të nxjerrë urdhër-ekzekutimi vetëm për palët që kanë lidhur kontratën tek zyra noteriale, ndërkohë që ata që nuk e kanë lidhur tek zyra noteriale, që kanë problematika me bankat nuk mund të shkojnë tek noteri.
Kur shkonin palët në gjykatë për të nxjerrë urdhër ekzekutimi, nuk njoftohej pala debitore, pra shkonte vetëm pala kreditore dhe kjo ka qenë një ngërç shumë i madh sa i përket mënyrës së njoftimit, apo mënyrës së marrjes në dijeni të debitorit. Kjo mënyrë ekzekutimi ka krijuar të gjithë këto problematika që kemi sot. Me ndryshimet e reja që kërkohen të bëhen me ligj për ekzekutimin palët do të jenë përballë tek noteri si kreditori dhe debitori. Debitori do të njihet me të gjithë problematikën për borxhin që ka dhe ekzekutimin e vendimit. Nuk do të jetë më në atë errësirën dhe panjohurinë që bëhej më parë nga kreditori në gjykata. Padyshim që kjo është një diçka e mirë, por nuk e zgjidh tërësisht problematikën që kanë palët sepse jo të gjithë palët do të shkojnë tek noteri. Noteri do të nxjerrë urdhër-ekzekutimi vetëm për palët që kanë lidhur kontratën tek zyra noteriale, ndërkohë që ata që nuk e kanë lidhur tek zyra noteriale, që kanë problematika me bankat nuk mund të shkojnë tek noteri. Kështu që nuk është se kjo ka zgjidhje definitive sa i përket abuzimit me kreditë e kështu me radhë. Padyshim që është gjë e mirë se do të ketë lehtësime edhe procedurale edhe për gjykatën.
Nuk është zgjidhje përfundimtare qoftë që qytetarët të marrin zgjidhje në kohë dhe hapësirë, por edhe sa i përket shfryrjes së numrit të dosjeve që janë sot në gjykatat shqiptare.
Sipas Cakranit, gjëja pozitive në këtë projektligj është se gjykata tashmë do të ketë detyrim ligjor të njoftojë edhe debitorët.
Gjëja më e mirë është kjo, nëse kreditori do të shkojë në gjykatë për të ekzekutuar një vendim, atëherë gjykatës do t’i lindë detyrimi ligjor, që më parë nuk e kishte, të njoftojë dhe debitorin. Ky është ndryshimi i ri që është bërë.



