
Arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, me akuzat për korrupsion, ndryshoi qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj drejtësisë së re.
Pano Soko, bashkryetar i Nismës ‘Thurje’, thotë në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se reagimi i Ramës po tregon se ai po nuhat rrezikun që po i vjen nga SPAK-u.
Guri i provës do të jetë Edi Rama, besoj unë.
Ky reagim i Ramës erdhi pasi ai ndjeu se SPAK-u po i afronte rrezikun. Ai është një 'qen i vjetër politik' dhe nuhat kur i vjen rreziku, e ndjen dhe fillon të agresohet duke bërë rolin e sulmuesit.
Në këtë rast, ka zgjedhur të mos qëndrojë në mbrojtje, por të sulmojë SPAK-un, duke përdorur një gjuhë të ngjashme me atë të Berishës, përveçse më të kamufluar. Ai thotë 'do ta kastrojë' SPAK-un, që të rrijë aty dhe mos t’i prishë punë.
Ky reagim nuk ka ardhur sepse Rama është i mërzitur që Veliaj u arrestua, por sepse ai mendon që rreziku është gjithnjë e më afër tij.
Ne kemi dy drejtësi. Është SPAK-u që përgjigjet për rreth 5000 veta. Është një tjetër që përgjigjet për 2 480 000 të tjerët. Të dy këto drejtësi operojnë me të njëjtin Kod Penal. Kush është interesi i Ramës. Ai ka hallin e asaj drejtësie që merret me atë vetë. Koncepti i reformimit është kaq hipokrit, sepse ai duhej ta kishte filluar me drejtësinë e qytetarëve. Për atë lloj drejtësie dhe standardet e saj nuk interesohet ai. Për ata që shkojnë në burg për energjinë elektrike nuk i bën përshtypje. Por me tu arrestuar krahi i tij i djathtë, ai kujdeset për standardet. Unë mendoj se problemi nuk është se u arrestua Veliaj, ai e ka hallin se po i vijën aq afër saqë ai tani duket i dobët. Ai nuk është më i plotfuqishmi që i kontrollon të gjitha. Rënia e këtij miti i sjell probleme.



