Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Rexhep Tajip Erdogan thanë se kanë rënë dakord për armëpushim në Siri.
Putini tha se marrëveshja e arritur do t’i japë fund vuajtjeve civile, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Të dy presidentët u takuan në Moskë për bisedime, synimi i të cilave ishte t’u jepej fund armiqësive në Idlib, në veriperëndim të Sirisë.
Ata mbështesin palë kundërshtare në konflikt, por të dy udhëheqësit thanë se donin të arrinin një marrëveshje para fillimit të bisedimeve.
Putin mbështet një sulm të qeverisë siriane për të marrë përsëri provincën e fundit të mbajtur nga opozita në Siri, ndërsa presidenti Erdogan mbështet forcat kundërshtare.
Marrëveshja gjithashtu parashikon krijimin e një korridori të sigurisë 12 kilometër të gjatë në të gjithë vendin përgjatë autostradës M4, ku do të patrullohet bashkërisht nga trupat ruse dhe turke, duke filluar që nga data 15 mars.
Sipas Putin, ai dhe Erdogan arritën marrëveshje për një dokument të përbashkët gjatë bisedimeve në Moskë që zgjatën më shumë se gjashtë orë.
Kjo ishte takimi i parë i dy liderëve pasi 33 ushtarë turq u vranë në një sulm ajror të qeverisë siriane në Idlib.
Sulmi ajror ishte pjesë e një serie përshkallëzimesh të kohëve të fundit që kanë ngritur shqetësime për një konfrontim të drejtpërdrejtë midis Turqisë dhe Rusisë, përfshirë edhe rrëzimin e dy aeroplanëve të qeverisë siriane gjatë fundjavës.
Turqia nisi një ofensivë ushtarake në Siri vitin e kaluar në përpjekje për të krijuar një vend për miliona refugjatë që ka krijuar lufta civile.
Konflikti aktual në Idlib ka dërguar gati një milion civilë sirianë në Turqi, e cila kohët e fundit hapi kufirin e saj me Evropën pjesërisht për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare ndaj krizës.



