Hashim Thaçi del sot para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Seanca mbahet në orën 15:00.
Aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020, ndërsa u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në të njëjtën ditë.
Aktakuza e ngritur ndaj Thaçit e ngarkon atë me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.
Paraqitja e parë e ish-presidentit Hashim Thaçi do të mbahet në seancë publike.
Po sot, në orën 11:00 do të mbahet edhe seanca në ngarkim të ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 4 nëntor.



