Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar sot me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Vuçiç përmes një postimi në Instagram, siç kanë njoftuar mediat serbe, ka bërë me dije se për takimin e radhës që ishte planifikuar në Beograd, duhet që të merren parasysh ngjarjet e fundit në Shkup ku kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dje ka dhënë dorëheqje.
Në kuadër të Samitit, Presidenti i Serbisë gjatë ditës në Glasgow, ndër të tjera ka takuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin e Maqedonisë së Veriut, Steve Pendarovski.
“Mbështetje të fuqishme për Open Balkans. A duhet ta mbajmë apo ta shtyjmë takimin në Beograd, për shkak të ngjarjeve në Shkup?”, shkroi Vuçiç në Instagram.
Edi Rama, dhe tashmë Kryeministri i dorëhequr i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kishin planifikuar vizitë në Beograd me 3 dhe 4 nëntor, për të diskutuar për iniciativën rajonale “Open Ballkan”.
Zyra e Kryeministrit të dorëhequr, Zoran Zaev, ka konfirmuar se ai nuk do të merrë pjesë në takimin e paracaktuar për Open Balkans në Beograd, mes liderëve të kësaj nisme rajonale.
Zyra e Kryeministrisë ka lajmëruar se një përfaqësues tjetër i Maqedonisë së Veriut do të merrë pjesë në takim, por se ende nuk është përcaktuar se kush do të merrë pjesë.



