Kredi e butë për biznesin, Zekja: Skema e mirë, por e pamjaftueshme. Soko: Biznesi ka nevojë për më shumë reforma (VIDEO)

Kredi e butë për biznesin, Zekja: Skema e mirë, por e pamjaftueshme. Soko: Biznesi ka nevojë për më shumë reforma (VIDEO)

Qeveria ka nisur zyrtarisht zbatimin e programit "Dyfisho Sipërmarrjen Tënde", një skemë financimi e mbështetur nga garancia sovrane e shtetit, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë. 

 

Programi synon të lehtësojë aksesin në kredi për bizneset që investojnë në modernizim dhe rritje të kapaciteteve, në një periudhë kur vendi po përgatitet për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

 

Për MCN Economy, sipërmarrësi Florian Zekja dhe eksperti i ekonomisë, Pano Soko, vlerësojnë se mekanizmi është pozitiv, por i pamjaftueshëm për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet biznesi.

 

Sekja, e cilëson skemën si një instrument të mirë financimi, pasi ofron interesa të favorshme dhe mbështetje shtetërore deri në 70 për qind. Megjithatë, ai thekson se kufizimet e saj e bëjnë të pamjaftueshme për nevojat aktuale të sipërmarrjeve.

 

Ky është një mekanizëm shumë i mirë, sidomos në një periudhë kur biznesi dhe bujqësia kanë nevojë për mbështetje. Problemi është se kredia nuk mund të përdoret për kapital qarkullues apo për blerjen e lëndëve të para, por vetëm për investime në makineri. Kjo bën që të përfitojnë kryesisht bizneset që janë tashmë në një fazë më të avancuar, ndërsa sektorët që po përballen me vështirësi serioze mbeten jashtë kësaj skeme.

 

Ai kujton se sektori i manifakturës dhe eksportuesit po kalojnë një periudhë të vështirë, duke përmendur se vetëm muajin e fundit manifaktura ka shënuar një rënie prej 14 për qind.

 

Sektori ynë ka tre vite që operon me humbje. Duhet parë nëse prioriteti i biznesit sot është blerja e makinerive apo sigurimi i lëndëve të para për të mbajtur aktivitetin. Nëse ky mekanizëm mbetet i vetëm dhe nuk shoqërohet me politika të tjera mbështetëse, efekti i tij do të jetë shumë i kufizuar.

 

Sekja ngre gjithashtu pikëpyetje për mënyrën se si bankat e nivelit të dytë do ta zbatojnë këtë program.

 

Edhe në skemat e mëparshme kemi parë se bankat nuk kanë qenë gjithmonë të interesuara për garancitë sovrane, pasi normat e interesit janë të ulëta dhe nuk janë shumë fitimprurëse për to. Prandaj mbetet për t'u parë kush do të ketë realisht akses në këtë financim.

 

Sipas tij, nuk duhet krijuar ideja se kjo skemë është zgjidhja e vetme për transformimin e ekonomisë shqiptare.

 

Po reklamohet sikur është çelësi për transformimin e biznesit dhe integrimin në Europë, por kjo nuk mjafton. Nëse nuk ndërthuren të gjithë mekanizmat e nevojshëm dhe nuk adresohen problemet që kanë sot sipërmarrjet, është e pamundur që biznesi shqiptar të bëhet konkurrues në tregun europian. Një nga problemet kryesore mbetet zhvlerësimi i euros, i cili po godet eksportuesit dhe nuk mund të trajtohet si një fatkeqësi natyrore.

 

Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë Pano Soko e konsideron pozitiv faktin që qeveria ka zgjedhur të ofrojë një instrument të ri financimi, por thekson se suksesi i tij do të varet nga mënyra e zbatimit.

 

Biznesi sot ka nevoja shumëplanëshe dhe çdo instrument që rrit aksesin në financim është i mirëpritur. Megjithatë, duhet parë në praktikë si do të funksionojë kjo linjë kreditimi, sa i lehtë do të jetë aksesi në fonde, sa transparente do të jetë përzgjedhja dhe mbi çfarë kriteresh do të vlerësohen projektet.

 

Ai kujtoi se edhe gjatë pandemisë u vunë në dispozicion fonde të konsiderueshme përmes garancive sovrane, por një pjesë e madhe e tyre nuk u përdor.

 

Gjatë COVID-it u planifikuan mbi 100 milionë euro financime, por u ekzekutua vetëm një pjesë e vogël e tyre. Prandaj sfida nuk është vetëm të krijosh fondin, por të garantosh që bizneset të kenë mundësi reale ta përfitojnë atë.

 

Soko argumenton se pengesat kryesore të sipërmarrjes shqiptare nuk lidhen vetëm me mungesën e financimit, por edhe me problemet strukturore të ekonomisë.

 

Rreth 85 për qind e bizneseve shqiptare nuk janë ende gati për tregun europian. Financimi është vetëm një pjesë e zgjidhjes. Ka reforma financiare dhe jo financiare që duhej të ishin bërë prej kohësh. Probleme si deformimi i tregut, monopolizimi, ndikimi i parasë informale dhe zhvlerësimi i euros kanë dëmtuar konkurrueshmërinë e biznesit shqiptar. Pikërisht këto janë sfidat reale që duhet të adresohen përpara integrimit në Bashkimin Europian.

 

Sipas Sokos, përgatitja e biznesit për tregun europian kërkon një paketë shumë më të gjerë reformash sesa një linjë e vetme kreditimi, pasi standardet që kërkon Bashkimi Europian shkojnë përtej financimit dhe lidhen me funksionimin e gjithë ekonomisë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy