
Me rastin e 1 Majit, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ndan një mesazh për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Ruçi, shkruan se veçanërisht sot ndihet sindikalist ndërsa shton se për të është e rëndësishme të ulet nga tribuna politika dhe të ngjitet puna.
“Sot ndjehem sindikalist, punëtor, mësues, infermier. Të ulim nga tribunat politikën dhe të ngjisim punën Rritja ekonomike të përkthehet në mirëqënie për të gjithë. Ekonomia të orientohet drejt prodhimit. Rrugët e Shqipërisë duhen ndërtuar, jo bllokuar.”-shkruan Ruçi.
Edhe Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë punëtorët në ditën e 1 Majit, përmes një video ku tregohet se si përmes portalit qeveritar Open Data mund të informoheni për të dhëna mbi ekonominë, arsimin, financat, taksat, e të tjera fusha me interes publik.
"Me këtë video-informacion mbi opendata.gov.al ku çdokush mund të informohet në kohë reale me të dhëna për qeverisjen, ekonominë, arsimin, financat, taksat, shëndetësinë e të tjera fusha me interes, ju uroj 1 Maj të Gëzuar", shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Në ditën e punëtorëve, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka uruar 1 Majin, por ka shprehur shqetësim për nivelin e papunësisë në vend.
Kreu i Shtetit shkruan në “Facebook” se është detyra e shtetit të garantojë, jo vetëm hapjen e vendeve të reja, por edhe kushte më të mira pune, në mënyrë punëtorët e kualifikuar të ndërtojnë të ardhmen dhe të kontribuojnë këtu për zhvillimin ekonomik të familjes, shoqërisë dhe Shqipërisë. Meta nuk ka harruar në mesazhin e tij të falënderojë edhe emigrantët shqiptarë.
“Duke u uruar 1 Majin, Ditën e Punëtorëve, ndaj sot shqetësimin me të gjithë punëtorët, të sektorit publik dhe të atij privat, për kushte më të mira e më dinjitoze pune dhe për respektim të legjislacionit, që garanton plotësisht të drejtat e tyre.
Me punën, mundin dhe energjinë e tyre, punëtorët kanë një kontribut thelbësor për zhvillimin, mirëqenien dhe përparimin e vendit. Por fatkeqësisht, Shqipëria ka ende një nivel të papranueshëm papunësie dhe vazhdon të vuajë largimin në emigrim të shumë punëtorëve, veçanërisht atyre të kualifikuar.
Është detyra e shtetit në radhë të parë të garantojë, jo vetëm hapjen e vendeve të reja, por edhe kushte më të mira pune, në mënyrë që kjo kategori vitale të ndërtojë të ardhmen dhe të kontribuojë këtu për zhvillimin ekonomik të familjes, shoqërisë dhe Shqipërisë.
Një falënderim të veçantë kam sot dhe për të gjithë emigrantët shqiptarë, që me punë të ndershme kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme kundër varfërisë dhe zhvillimit të vendit në vitet e vështira të tranzicionit”,shkruan Meta në rrjete sociale.



