Dita e hënë do të karakterizohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme në të gjithë vendin.
Sipas parashikimeve meteorologjike, moti do të jetë kryesisht i kthjellët, me alternime vranësirash të pakta deri mesatare, të cilat herë pas here do të dendësohen në zonat malore të lindjes gjatë orëve të mesditës dhe pasdites.
Në këto zona priten reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët, të shoqëruara lokalisht me shtrëngata të izoluara.
Ndërkohë, në Ultësirën Perëndimore mund të ketë reshje të dobëta në formë pikash shiu, me përjashtim të vijës bregdetare. Pas orëve të pasdites parashikohet ndërprerja e reshjeve dhe rikthimi i motit kryesisht të kthjellët.
Era do të fryjë nga kuadrati perëndimor me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina do të ketë forcim të përkohshëm deri në 12 m/s.
Sa i përket kushteve detare, valëzimi në detet Adriatik dhe Jon do të jetë i ulët, me forcë 1 deri në 2 ballë.



