Deputetja demokrate Sorina Koti në një lidhje skype me studion e lajmeve në 'MCN Live' ka komentuar lidhur me situatën aktuale në Partinë Demokratike për të cilën u shpreh mjaft optimiste se ajo po vinte drejt normalizimit.
Koti deklaroi se kërkesa e anëtarëve për dorëheqjen e Bashës është mëse e drejtë, ndërsa theksoi se duhet një mekanizëm i ri për të rifutur Sali Berishën në strukturat e Partisë Demokratike pas shkarkimit nga vendimet e kreut të opozitës.
Në PD situata po vjen drejt normalizimit. Më vjen mirë që kolegët që nuk na u bashkuan që në fillim në 11 dhjetor janë duke na u bashkuar tani edhe pse me vonesë, por reagimi pas 6 marsit ka qenë korrekt duke ditur situatën si po degradonte situata në PD ata kanë kërkuar dorëheqjen e Bashës, sepse për grupin e rithemelimit ai ka qenë i shkarkuar. Basha duhet të dorëhiqet nga PD dhe për këtë jemi në unison. Shpresojmë shumë për një reagim dinjitoz nga Basha për të marrë vendimin për tu larguar ashtu siç e kërkon anëtarësia.
Qëkur është marrë vendimi për shkarkimin dhe përjashtimin e Berishës baza demokratike ka reaguar dhe duke kundërshtuar me forcë vendimin që mori Basha ndaj Berishës. Reagimet e bazës kanë qenë të gjitha të forta duke kërkuar dorëheqjen e Bashës që në fillim pa u bërë kuvendi i dhjetorit. Humbja e 25 prillit i demoralizoi demokratët kështu që kur demokratët panë se shpresa sa vinte dhe po venitej, atëherë ndoshta ajo që ndodhi me Berishën ishte një shkëndijë që ne na bëri mirë për të lëvizur. Demokratët u bënë bashkë. Energjia tani ka përfshirë çdo demokrat, mendoj se do të duhet një mekanizëm tjetër për të futur Berishën në strukturën zyrtare të PD sepse ai tashmë është i larguar nga vendimet e marra nga Basha. Anëtarësia ka ikur dhe duhet mekanizëm për tu bashkuar.



