Gazetari Arsen Rusta, në një prononcim për MCN Live, ka folur për ecurinë e hetimeve të SPAK-ut për dosjen Balluku, duke u ndalur te marrja në pyetje e zyrtarëve dhe sekuestrimi i mjeteve elektronike të komunikimit.
Sipas tij, në kuadër të këtyre hetimeve, biznesmenit Dritan Avllaj i është sekuestruar telefoni, ndërsa mbetet për t’u parë nëse nga ekzaminimi i tij do të dalin të dhëna që mund t’i shërbejnë hetimit.
Një çështje që vijon të ketë hetime intensive, ku disa zyrtarë janë kthyer në hetim para BKH-së dhe SPAK-ut për t’u pyetur dhe ripyetur. Kemi pasur dje sërish, për të disatën herë, Viola Haxhiademin dhe Ergys Vjerdhon, drejtorin e Hekurudhës. SPAK po heton për vepra të ndryshme penale, koha ecën dhe sekuestrohen edhe mjetet e komunikimit elektronik. Nga këto hetime të fundit, mbetet për t’u parë se çfarë do të nxjerrë SPAK-u nga ekzaminimet që po kryen. Ndërsa hetimi vijon, biznesmeni Dritan Avllaj është personi të cilit i është sekuestruar telefoni në kuadër të këtij hetimi. Mund të merret një provë, apo mund të ketë të dhëna lidhur me këtë hetim, mbetet për t’u parë. Biznesmeni është pjesë e personave që dyshohet se mund të kenë të dhëna që do t’i shërbejnë hetimit.
Rusta komentoi edhe mesazhin kërcënues të mbërritur në disa institucione, përfshirë institucionet e drejtësisë dhe SPAK-un, ku pretendohej se do të shpërthente një lëndë plasëse. Ai e krahasoi këtë rast me alarmin për bombë të regjistruar më 15 shtator, ditën e parë të shkollës, duke theksuar se edhe këtë herë alarmi ka rezultuar i rremë.
Është një rikthim pas datës 15 shtator, ditës së parë të shkollës, që nisi me një alarm për bombë dhe rezultoi fals. E njëjta gjë është përsëritur edhe sot, me një SMS dhe email nga një adresë serbe, ku thuhej se do të shpërthente një lëndë plasëse në disa institucione, përfshirë edhe ato të drejtësisë, deri në SPAK. Deri tani, gjithçka ka rezultuar e rreme, por kodi standard i monitorimit dhe ndjekjes së telefonatave ka një procedurë standarde, e cila nuk mund të anashkalohet dhe kërkon kryerjen e kontrolleve, përveç kaosit që mund të krijojë një situatë e tillë. Edhe ky alarm i sotëm ka rezultuar fals.



