Prej 3 vitesh në Shqipëri është krijuar një organizatë për t’u ardhur në ndihmë burrave dhe djemve që ushtrojnë dhunë. Për të folur më tej rreth këtij fenomeni dhe kësaj organizate ishte i ftuar në emisionin Hangover, në MCN Radio dhe TemA TV, Koordinatori i Linjës së Këshillimit për Burra dhe Djem, Bledar Zeneli.
“Kjo organizatë ka lindur si një nevojë pas linjës së këshillimit të grave dhe femrave të dhunuara, ku ne donim ta shikonim këtë fenomen në konceptin e dhunës në familje nga konteksti i djemve dhe burrave dhe t’i bënim meshkujt aleatë për të luftuar dhunën në familje”, u shpreh Zeneli, gjatë intervistës.
Më tej koordinatori i Linjës së Këshillimit për Burra dhe Djem tha se sipas studimeve të shumta psikologjike ka rezultuar se kur një fëmijë është rritur në një ambient të dhunshëm ka një predispozitë të madhe të jetë i dhunshëm edhe kur të krijojë familje.



