
Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar zëvendëskryeministrin e Parë në detyrë të Kosovës, z.Behgjet Pacolli me Dekoratën “Nënë Tereza”. Në një ceremoni të zhvilluar në ambjentet e Presidencës, Meta e cilësoi Pacollin si një njeri të shquar dhe e vlerësoi për ndjeshmërinë e lartë që tregoi ndaj popullit të Thumanës dhe mbarë Shqipërisë, pas goditjes së tërmetit të 26-nëntorit.
Sipas Presidentit Meta, Pacolli është një njeri mjaft bujar dhe ka një veprimtari tejet frymëzuese humanitare. Ai vuri në dukje krijimin e fondacioneve për jetimët, refugjatët, në ndihmë të studentëve, në asistencën ndaj njerëzve në nevojë, ndërtimin e shtëpive për të varfrit, sponsorizimet në fushën e artit, kulturës dhe të sportit, dërgimi i dhjetëra pacientëve të Kosovës jashtë vendit për trajtim mjekësor e kështu me radhë. Gjithashtu Meta përmendi edhe ndërmjetësimet e Pacollit për lirimin e disa pengjeve dhe të një gazetari italian në vende në konflikt si Afganistani, duke e cilësuar si një ambasador të paqes.
“Zoti Pacolli është një personalitet i shquar, që gjithçka e ka arritur vetë në jetën e tij falë përpjekjeve, studimeve dhe sfidave të panumërta me të cilat ai është ndeshur dhe jo vetëm ka arritur të dallojë dhe shkëlqejë në fushat e biznesit, të ekonomisë, të sipërmarrjes, por gjithashtu ajo që e bën atë të veçantë dhe mbi të gjitha, që e bën edhe të dashur për njerëzit, është pikërisht angazhimi i tij i pareshtur për dekada në aktivitetin humanitar, në shërbim të paqes, po kështu për krijimin e një imazhi të dalluar dhe pozitiv të shqiptarit në botë, jo vetëm si një sipërmarrës i suksesshëm, por edhe si një njeri i jashtëzakonshëm dhe me zemër të madhe,”- u shpreh Meta ndër të tjera.
Biznesmeni Behgjet Pacolli ishte një nga emrat që dhuruan dhe u sensibilizuan me Shqipërinë pas goditjeve të tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Pacolli deklaroi se do të dhuronte 1.5 milionë euro. Ai gjithashtu ka publikuar dhe projektin për ndërtesat me apartamente moderne që do të ndërtohen në Thumanë, për të gjithë banorët që mbetën në rrugë pas tërmetit.



