Sadri Ramabaja, drejtor i Institutit për Gjeopolitikë, thotë se propozimi i Ramush Haradinajt për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës është tregues i kujdesit të shtuar që institucionet e Kosovës duhet të tregojnë javën e ardhshme.
Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Shqetësimi i Haradinaj është një sinjal që kanë mbetur pak ditë që duhet shtuar kujdesi që të mos provokohemi në veri në asnjë rast. Është Beogradi ai që është i interesuar të ketë incidente. Zgjedhjet nëse nuk mund të shtyhen, së paku të trajtohen si legjitime. Ata kanë shprehur qëndrimin e tyre se janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve.
Ramabaja tha se numri i votuesve në katër komunat me shumicë serbe nuk e kalon gjysmën e popullsisë së komunës së Podujevës, por është pozicioni strategjik i tyre ai që bëhet shkak për këmbënguljen e Beogradit për të pasur kontrollin e tyre.
Sipas njoftimeve nga Këshilli Qendror i Zgjedhjeve janë 7 formacione politike. Duhet të kemi parasysh se katër komunat me numrin e zgjedhësve nuk bëjnë sa gjysma e komunës së Podujevës. Pra nuk kemi numër të madh por shpërndarje në pozicione strategjike. Është e qartë pse Beogradi po insiston kaq shumë të ketë kontroll politik në veri të Kosovës. Beogradi po kërkon shkas për incidente.



