Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj Kortoçi thotë se 30 vitet e tranzicionit kanë krijuar para informale gjë që sipas saj, ka ardhur për shumë arsye, por se arsyeja bazë është moszbatueshmëria e ligjit.
Duke folur për MCN Economy, për amnistinë fiskale dhe mundësinë e legalizimit të parave nëpërmjet saj, ajo u ndal në problematikat që sjell ky proces.
Nëse duam të legalizojmë këtë para, forma ligjore është amnistia, forma tjetër është pastrimi i parave. Nëse qeveria do vendosë ta çojë deri në fund iniciativën e saj për ta legalizuar, lindin dy probleme bazë.
Precedenti që krijohet në Shqipëri është se kemi përvojë të hidhur për amnisti fiskale, të cilat kanë qenë gjithmonë para zgjedhjeve, para fushatave elektorale, falej energjia elektrike, tatimet dhe me radhë.
Kjo me këtë rast e nxiti informalitetin më tepër dhe solli pabarazi tregu. Bizneset që respektonin ligjin përpara zgjedhjeve ishin të pabarabartë. Problemi i dytë është menaxhimi, Shqipëria e ka detyrim ta formalizojë paranë. Gjithë kjo para jashtë sistemit, çon të gjitha politikat të jenë minimum në efektin e tyre. Është e detyrueshme që paraja të legalizohet që gjithë sistemi të jetë nën kontroll.
E kemi më kollaj ta menaxhojmë paranë në kesh dhe gjithë kjo lidhet me atë që quhet menaxhimi i gjithë procesit, se sa të përgatitur do jenë ata që do menaxhojnë procesin dhe sa dakordësi do kenë institucionet me palët e treta. Çështja është se si do të legalizojmë gjithë paranë e shqiptarëve rezident. Por si do i sjellin emigrantët paratë, kur për vendin ku ndodhen rezident, këto para janë në shkelje të ligjit.
Lidhur me efektin imediat nëse paratë informale legalizohen, Nunaj-Kortoçi foli për dy aspekte: atë ligjor dhe ekonomik.
Sipas saj, çdo shkelje ligjore për mënyrën se si janë siguruar këto para është e falur.
Në aspektin ekonomik çdo para që hidhet në treg është ndihmesë që në radhë të parë do krijojë vende pune. Këto para ose do depozitohen ose do investohen duke shtuar më shumë vende pune. Do jetë një e ardhur e cila do e ndihmonte zhvillimin e ekonomisë.
Sa i takon biznesit, ekspertja tha se biznesi do të ndihet i lehtësuar por sqaroi se çdo deklarim shoqërohet me një tatim, duke ngritur pikëpyetje nëse bizneset do të duan të paguajnë detyrimin.
Gjykoj se do ketë sërish një lënie mënjanë. Nuk do deklarohen të gjitha, mund të deklarohet një pjesë por asnjëherë 100%, nuk do legalizohet.



