
Një diamant 709 karatësh i gjetur në Sierra Leone është shitur në Nju-Jork për një çmim prej 6.5 milionë dollarësh. Blerësi është miliarderi britanik, Laurence Graff, i cili ka çuar në shtëpi atë që njihet si “diamanti i paqes”, një emër i zgjedhur për të kujtuar luftën civile të viteve 1990-2000, që pati si shkak pikërisht kontrollin e shitjes së mineraleve të çmuara.
Guri i çmuar është më i madhi që është gjetur deri tani në vendin e vogël të Afrikës Perëndimore, i cili njihet si vendi i “diamanteve të përgjakura”.
Diamanti është gjetur nga pastori kristian, Emmanuel Momoh, së bashku me një grup minatorësh.
Rreth 3.8 milionë dollarë nga shitja e diamantit do të përdoren në ndihmë të komunitetit të fshatit të vogël Koryardu në provincën Kono, ku është gjetur guri.
Atje mungojnë shkollat, rrugët dhe spitalet. / La Stampa /



