
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian u bëri thirrje të dielën shteteve islamike që të ofrojnë mbështetje për normalizimin e situatës në Siri.
“Shpresoj se problemi që ka lindur në Siri do të zgjidhet me ndihmën e shteteve islamike dhe nuk do të lejojë që konfliktet e tyre të bëhen bazë për ndërhyrje të mëtejshme të huaja në punët e rajonit”, tha ai në një takim të përbashkët të qeverisë dhe parlamentit iranian.
Presidenti theksoi se Irani nuk dëshiron armiqësi dhe nuk dëshiron të rishikojë kufijtë me fqinjët e tij.
Gjithashtu, ai kujtoi sukseset e diplomacisë në marrëdhëniet e Iranit me vendet e tjera të rajonit.
“Për herë të parë, të gjitha shtetet e rajonit dënuan agresionin izraelit kundër Iranit dhe unë përgëzoj fqinjët tanë për pozicionin e tyre korrekt”, tha Pezeshkian, duke iu referuar sulmeve të Izraelit ndaj Iranit më 26 tetor.
Gjithashtu të dielën, sipas IRNA, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit shprehu shqetësim për situatën në Siri.
Ai vuri në dukje se grupet terroriste mund të përfitojnë nga kaosi që rezulton për të rifilluar aktivitetet e tyre.
Këtë javë, forcat anti-qeveritare nisën një ofensivë në provincat e Idlib dhe Alepo. Ata arritën të merrnin shpejt kontrollin e një sërë vendbanimesh.
Komanda rebele pretendon se kontrollon, një pjesë të konsiderueshme të qytetit të Alepos, duke përfshirë lagjet qendrore. Sakaq aeroporti i qytetit është i mbyllur.
Ushtria siriane konfirmoi më vonë se forca të rëndësishme rebele po mblidheshin në qytetin e Alepos.



