Profesor doktori i Universitetit Bujqësor, Shpendi Shahini, për përhapjen masive të karkalecave në Tiranë, thotë se kohët e fundit ka shqetësim qytetar lidhur me këtë fenomen, duke shtuar është realitet në ambientet urbane. Nga studio e MCN Live, ai deklaroi se kjo problematikë po trajtohet prej dy muajsh në kuadrin e punës monitoruese. Shahini deklaroi se problematika e parë ka filluar në kushtet e fushës ku ka pasur shpërthimet e karkalecave. Sipas tij, problematika ndahet në aspektin fushor, në kulturat bujqësore, ku në kushtet fushore janë përcaktuar si speciet dhe masat e kontrollit dhe ndërhyrjet kanë realizuar në formë vatrash. “Është krijuar shqetësim se i kemi prezent në ambientet urbane. Kjo specia është një specie që habitatin e ka në ambientet urbane. Po meqenëse quhet karkaleci migrator, niveli i popullatës është shumë i ulët, nuk justifikohet një ndërhyrje. Nga ana tjetër kemi angazhimin maksimal, që në ambientet urbane të jemi sa më të kujdesshëm dhe të mos përdorim pesticide se lidhen drejtpërdrejtë me mbetjet. Ndërhyrja kimike gjithmonë ka momente se kur duhet ndërhyrë, momentalisht si dendësi nuk justifikohet ndërhyrja. Kemi një bashkëpunim për të evidentuar vendet se ku do jetë depozitimi i vezëve, dhe do synojmë që në çdo lulishte të punohet toka, në mënyrë që të shkatërrohet venddepozitimi i vezëve. Dinamika e këtij dëmtuesi emigrator, ka një farë rritje, pak më lartë se vitet e kaluara, por niveli nuk e justifikon ndërhyrjen kimike. Specia në ambientet urbane, nuk është ajo që gjendet në ambientet fushore. Është një specie e pranishme në vendin tonë, por ka një farë rritje dinamikja e popullatës. Është një moment që do e kemi në fokus që të gjithë hapësirat urbane dhe lulishtet, të punohen që të shkatërrohen vezët. Nuk janë transmetues të sëmundjeve të ndryshme, nuk shkaktojnë gjë pickimet. Në mënyrë absolute nuk përhapin sëmundje, këto i themi bazuar në kërkim shkencor të zhvilluar në kushtet e vendit tonë për këto specie. Si veçori të tyre kanë që tërhiqen nga drita, mund të jenë prezent në shtëpi, ballkon dhe kjo sjell prezencë të shtuar. Po të jeni gjatë darkës duke shëtitur në bregdet, mund t’i kemi dhe aty. Ndërhyrjet kimike në ambientet urbane duhet t’i kemi sa më të pakta, nuk e rekomandoj ndërhyrjen kimike në stadin aktual se efektiviteti është shumë i ulët. Le të lëmë më mirë natyrën të veprojë në habitatin e vetë, pasi ka një shkatërrues natyral të tyre. Në kushtet fushore kemi rekomanduar ndërhyrjet në nivel vatrash dhe popullata është në nivele minimale, ndërsa në kushtet urbane, rekomandoj se nuk duhet të realizojmë trajtime kimike.”



